Venger pa emocione kundër ish-skuadrës së tij Monako

Sonte do të jenë dy duelet e fundit të fazës së 16-shes së Ligës së Kampioneve. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, do të përballet me ish-skuadrën e tij, Monakon, por sigurisht që emocionet nuk mund të kenë vend në një ndeshje të këtij niveli dhe kur luhet në “Emirates Stadium“.

Kjo është hera e parë për të që përballet me ish-skuadrën e tij që nga koha kur është larguar dhe siç shprehet edhe vetë, ndihet i befasuar. Arsenali nuk arrin të kalojë në çerekfinale të Ligës së Kampioneve në 4 vitet e fundit, dy herë është mundur nga Bajerni i Mynihut dhe në dy rastet e tjera nga Milani dhe Barcelona. Aktualisht ata ndodhen në vendin e tretë në Premier Ligë pas fitores 2:1 me Kristal Palas që ishte e treta radhazi.

Nga ana tjetër, Monako vjen në këtë përballje pas fitores 1:0 të derbit me Nisën edhe pse e mbylli lojën me 10 lotjarë, sukses ky që i ngjit në vendin e katërt në Ligën 1.

Çifti tjetër është ai mes Bajer Leverkusenit dhe Atletikos së Madridit. Edhe pse në pamje të parë një kundërshtar i lehtë për skuadrën e Simeones, vlen për t’u përmendur se gjermanët e kanë kaluar fazën e grupeve me vetëm një humbje 3:2 me Olimpiakosin. Gjithsesi, gjendja e tyre në Bundesligë nuk është aspak pozitive, pasi kanë grumbulluar 9 barazime dhe 5 humbje në 22 ndeshje.

Të gjitha këto shifra flasin për një avantazh të dukshëm në letër për Atletikon e Madridit e cila ka mbërritur në këtë fazë duke lënë pas Juventusin në fazën e grupeve dhe një vit më parë mundën të shkonin deri në finalen e madhe ku u mundën nga Reali i Madridit.

Lajme të ngjashme

Back to top button