Sequi: Shqipëria së shpejti merr statusin, ka progres

Për një kohë të shkurtër, Shqipëria i ka të gjitha shanset të marrë statusin e vendit kandidat. Ka qënë kjo deklarata e përcjellë nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, para të rinjve të LRI në Akademinë Verore për Politikën në Jalë. “Siç e dini, për të marë statusin e vendit kandidat ne kemi kërkuar një sërë kriteresh, njëra prej të cilave ishte edhe aprovimi në Parlament i tre ligjeve, që fatmirësisht u bë para zgjedhjeve të 23 Qershorit”, tha Sequi.

“Kemi kërkuar edhe disa angazhime sa i përkett luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe kjo është pjesë e kapitullit më të rëndësishëm. Në këtë drejtim, nuk është se kemi shumë kohë për të parë rezultate, por gjithsesi shoh se ka disa lëvizje interesante. Mendoj se me angazhimin e duhur dhe me ndërmarrjen e shpejta të disa veprimeve, shanset janë shumë të larta sa i përket marrjes së statusit”, ka shtuar ambasadori.

Në ditën e dytë të aktivitetit të organizuar nga LRI në Jalë, diplomati i huaj ka referuar në seminarin me temë: “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”. Ai ka shpjeguar se BE është një sistem vlerash të përbashkëta, që ka të bëjë me barazinë gjinore, ka të bëjë me të Drejtat e Njeriut në tërësi, me barazinë ndaj ligjit, ka të bëjë dhe me standartet dhe me rregullat në tërësi.

“Nesër një pjesë e juaja do të ketë përgjegjësi më të mëdha, qoftë në qeverisje dhe në administrim. Kërkoni barazinë para ligjit, sepse kjo ju jep ju mundësi të barabarta për të pasur progres dhe për të ecur përpara në jetë. Përpiquni të jeni sa më aktivë, sa më kërkues në mënyrë që edhe me ndihmën tonë të arrini sa më shpejt të bëheni pjesë e kësaj familje të madhe që është Bashkimi Evropian. Ju tashmë po i provoni tashmë disa përfitime, siç është për shembull liberalizimi i vizave. Bëhuni sa më aktivë ose angazhohuni më tepër, për të bërë presionin e duhur kundrejt politikanëve që të ecim sa më shpejt në procesin e Integrimit Evropian. Sepse procesi i Integrimit Evropian ka të bëjë më jetën tuaj dhe të ardhmen tuaj”, u shpreh ambasadori.

“Kjo do të thotë të garantohet se të gjithë pavarësisht funksioneve të jenë të barabartë para ligjit. Kjo do të thotë të luftosh korrupsionin, të luftosh krimin e organizuar, të mos ketë diskriminime në zbatimin e ligji. Askush nuk duhet të dalë mbi ligjin dhe askush poshtë ligjit”, shtoi Sequi. “Kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, do të nisin negociatat, që është një proces shumë i komplikuar. Do të jenë 35 kapituj duke nisur nga ambiente deri tek të Drejtat e Njeriut, dhe një kapitull është ai që do të hapë dhe do të mbyllë negociatat para se të bëhen anëtar më të drejta të plota te BE-së është sundimi i ligjit. Pasi të gjithë këto kapituj të mbyllen padyshim, që do të vihet re se vendi ka bërë një progres shumë të theksuar sa i përket reformave dhe për të pasur një jetë më të mirë dhe zhvillim më të mirë për të gjithë”, tha përfaqësuesi i BE.

Lajme të ngjashme

Back to top button