Brazil 2014, ekipet e para të kualifikuara

Në Torino është kthyer gjithçka në festë madhore për Italinë, e cila mposht me përmbysje Republikën Çeke dhe kualifikohet zyrtarisht në Botërorin “Brazil 2014”.

Jo vetëm Italia është kualifikuar zyrtarisht për në kampionatin botëror të vitit të ardhshëm. Edhe Holanda ka siguruar biletën për në Brazil, falë dopietës së Van Persie-t, duke mposhtur Andorrën, si dhe falë humbjes së Rumanisë me Turqinë, 2:0 për të besuarit e Fatih Terim.

Kombëtarja “portokalli” e drejtuar nga Van Gaal arrin objektivin 2 ndeshje nga fundi i kualifikueseve, falë një fitoreje të lehtë ndaj Andorrës, që veç faktit që ka 0 pikë në grup, nuk ka shënuar as edhe një gol. Hungaria mbetet në vendin e dytë të grupit D, pas shpartallimit të Estonisë, 5:1.

Gjermania, pavarësisht se fiton 3:0 kundër Ishujve Faroe, nuk arrin të kualifikohet zyrtarisht, kjo për shkak të triumfit të Suedisë ndaj Kazakistanit, kështu që do t’i duhet raundi i ardhshëm i kualifikueseve për të qenë pjesë e “Brazil 2014”.
Franca triumfon në një sfidë me shumë gola ndaj Bjellorusisë, në transfertë 4:2, ku ka shënuar gol edhe mesfushori i talentuar i Juventusit, Pogba, veç dopietës së Ribery dhe golit të Nasri, duke shtyrë festimet e Spanjën për një kualifikim të mundshëm nga vendi i parë. Kampionët në fuqi të botës dhe Europës e kishin pushim këtë raund.

Në grupin E, atë të Shqipërisë, Zvicra do të duhet të presë ndeshjen e ardhshme ndaj kuqezinjve tanë për të prenotuar udhëtimin drejt Brazilit. “Helvetët” mposhtin 2:0 Norvegjinë, në shtëpinë e këtyre të fundit, duke mbetur 6 pikë më shumë se Sllovenia e vendit të dytë, teksa këta të fundit marrin fitoren e 3-të radhazi në grup ndaj Qipros, 2:0.

Në grupin G, dy kryesuesit vazhdojnë “betejën” mes tyre. Greqia dhe Bosnja fitojnë ndeshjet respektive dhe ndodhen me 19 pikë secila. Grekët mposhtin 1:0 Letoninë, ndërsa boshnjakët përmbysin rezultatin ndaj Sllovakisë e triumfojnë 2:1. Nuk vlen asgjë goli i shënuar nga Hamsik.

Në grupin H, Anglia e Hodgson barazon 0:0 ndaj Ukrainës. Anglezët mbeten në krye me 16 pikë, teksa ndiqen nga Ukraina e Mali i Zi me nga 15 pikë.

Rusia e Fabio Capello-s siguron fitoren e dytë radhazi, pasi mposhtin 3:1 Izraelin në Shën Pjetërburg, duke qenë më pranë kualifikimit në Botëror, pasi i rrëmbejnë kështu vendin e parë në grupin F Portugalisë. 18 pikë për rusët dhe 17 Portugalinë.

Ndërkohë, Zlatan Ibrahimovic i jep një fitore jetike 1-0 Suedisë, pavarësisht një kundërshtari modest si Kazakistani, duke shtyrë festën për Gjermaninë. Kualifikimi për Suedinë mbetet ende i vështirë, pasi dy ndeshjet e fundit do t’i zhvillojë në shtëpi, kundër Austrisë dhe Gjermanisë.

Në grupin B, atë të Italisë, merr 3 pikë edhe Danimarka, pas fitores 1:0 ndaj Armenisë, e tashmë gjendet në kuotën e 12 pikëve. Fiton gjithashtu edhe Bullgaria, 2:1 ndaj Maltës, duke mbetur në vendin e dytë me 14 pikë.

Lajme të ngjashme

Back to top button