Jahjaga – Ivanov: Të mos përsëriten bllokadat

Presidentët e Kosovës dhe Maqedonisë, Atifete Jahjaga dhe Gjorge Ivanov janë shprehur të kënaqur nga tejkalimi i problemit tregtar në mes dy vendeve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy presidentët kanë shprehur optimizmin e tyre për një bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik në të ardhmen, pa probleme e pengesa si ato që ndodhën javën e kaluar.

“Mosmarrëveshja është tejkaluar dhe shpresoj të mos përsëritet. Falë angazhimit të dy qeverive, zgjidhja u gjet dhe u tejkalua mosmarrëveshja në dobi të dy vendeve”, ka theksuar Jahjaga.

Presidentja ka vlerësuar marrëdhëniet në mes dy vendeve si “jashtëzakonisht të mira”.

“Kosova dhe Maqedonia kanë një qëllim të përbashkët dhe ky është integrimi në BE, ndërsa çështja e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave është një nga parakushtet kryesore në këtë rrugëtim”, ka theksuar Jahjaga.

“Shpresoj të nxirret një leksion se si do të duhej të zgjidhen në të ardhmen problemet e tilla”, ka deklaruar Ivanov, ndërsa ka shtuar se është vetëm respektimi i standardeve të CEFTA-s ai që parandalon situatat e ngjashme.

Ndërkaq, presidentja Jahjaga, ka shmangur termin “luftë tregtare”, duke i quajtur bllokadat e dyanshme si “mosmarrëveshje”. /qik/

Lajme të ngjashme

Back to top button