Zahiri u vra pasi e qiti në pritë UÇK-ja

Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit dhe ish luftëtari i UÇK-së në Zonën e Operative të Llapit, Avni Ajeti thotë se vrasja e Zahir Pajazitit ndodhi për shkak se informacionet për aktivitetin e tij rrodhën nga UÇK-ja. Ai i bën thirrje Nait Hasanit të flasë për vrasjen e Zahir Pajazitit, duke hedhur dyshimet se informacionet për aktivitetin e Zahirit mund të kenë rrjedhur nga ai. Në një intervistë të gjatë për Standardi.info, Ajeti tregon se si po keqpërdoren vlerat e luftës dhe se ish –udhëheqës të saj, në emër të luftës u pasuruan. Ai flet edhe për vrasjen e Ilir Konushevcit, të cilën e lidh me FARK-un. Thotë se UÇK-ja kishte buxhet, jo miliona, por miliarda, që janë keqpërdor nga njerëzit që sot udhëheqin me pushtetin. Veteranët dhe aplikimet po shfrytëzohen për pazare politike. Nuk pajtohet me kritikat e Demaçin i cili kohë më parë kishte thënë se llapjanët i kanë ikur luftës. Tregon se si ndaj tij dy herë është bërë atentat. Më poshtë mund a lexoni të plotë intervistën me Avni Ajetin:

Pse kanë aplikuar kaq shumë për ta marr statusin e veteranit të UÇK-së?

Po dikush e ndien si mungesë që s’ka arrit ta japë kontributin e vetë për këtë vend dhe tash provon të barazohet me të tjerët që kanë luftuar. A kanë aplikuar shumë edhe në zonën e Llapit, sikur në zonat tjera? Në Zonën e Llapit, sepse jam kompetent të flas, rreth aplikimit të veteranëve, mundemi të flasim se kanë qenë në luftë rreth 2 mijë ushtarë, mos të themi 1 mijë e 800, afër 2 mijë. Tash kanë aplikuar rreth 4 mijë.

Pse ky numër kaq i madh?

Po dikush ka deshtë të tregohet patriot, siç kemi raste pas lufte që kanë nxjerr libreza të lloj- llojshme, kanë falsifikuar… Tash të shprehem pak ma popullorçe. Kur ka qenë koha të hahet pasuli kokrra- kokrra, dikujt s’ia ka hanger me dal në front, e tash dalin edhe përfitojnë do matrapaz, e do njerëz që as erën e barutit nuk e dinë.

A ka pasur manipulime me libreza të veteranëve?

Shumë. Kur them shumë, e them me përgjegjësi.

Edhe nga organizatat e UÇK-së?

Edhe organizatat, faktikisht, sepse organizatat e veteranëve në nivel vendi janë dirigjuar nga politike.

Prej kujt konkretisht janë dirigjuar, a keni ndonjë emër?

Ajo dihet…

A është keqpërdor UÇK-ja pas lufte?

Shumë, shumë… Më së pari nga udhëheqësit kryesor. Këta ‘liderët’ politik dhe një pjesë e eprorëve. Janë pasuruar në emër të dëshmorëve, në kurriz të UÇK. Mundemi me fol në shumë e shumë raste. 

Po na e përmendi një emër kush është pasuruar?

Po, duke filluar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafës, edhe ata njerëz që i ka pasur si vegël. Rrustem Mustafa mendoj që është manipuluar nga eprorët, një pjese, sepse nuk mund të them nga të gjithë. Mustafa ka qenë një djalë i mirë, po e mashtruan, se i ra parja për dore. Ai ka pas qejf me kanë shumë si epror, por kurrë s’ka qenë. E pas lufte kur ka dal në Prishtinë, Rrustem Mustafa ka qenë yll, sepse djemtë e Llapit e kanë kryer luftën me shumë sukses dhe krejt kontributin e atyre djemve që sot sillen rrugëve, Rrustem Mustafa e ka përvetësuar dhe është thirr në emër të të gjithëve. Madje është thirr edhe në luftën e Zahir Pjazaitit. Edhe s’kam dëshirë të merrem me të sepse për mua nuk ka vlerë.

Kthehemi edhe një herë te aplikacionet. A do të pranohet të gjitha?

Nëse i konvenon dikujt politikisht i pranojnë. Kjo kryekëput është politik, sepse tash kanë filluar edhe me rajone të ndahen, kush sa ka luftuar më shumë e kush më pak, e kush ka më shumë veteran…

Pasi ke qenë bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, sa revole i ka pasur?

Sepse shumë komandant thonë që e kanë revolen e Zahirit. Unë e kam fatin edhe e kam një. Një e ka pas Ramushi (Ramush Haradinaj), gjatë luftës, tash ia ka kthyer familjes së Zahirit. Zahiri nuk ua ka dhënë atyre revole, as Ramushit e askujt, por Remi ua ka dhanë, për me tregu që ai ka qenë kinse ma i afërti me Zahirin. Unë flas për një revole që faktikisht ma ka lënë si amanet Zahiri…

Adem Demaçi tha para disa ditësh që Llapianët i kanë ikur luftës?

Është fat që e kemi në mesin tonë, por edhe Adem Demaçin s’e ka shti askush me zor të bëjë për këtë vend, e ka bërë me vetëdije të plot… Le të kujtohet Adem Demaçi se Llapi ka pas Afrim Zhitin, Ali Ajetin, Hasan Ramadanin… Pse është hidhëruar në Llapjan unë nuk e di. Po ja kujtoj edhe një Ilir Konushevcin që e ka marr përgjegjësin e organizimit e të gjithë logjistikës së UÇK-së dhe Llapjanët kanë qenë promotori i luftës së UÇK-së.

Përmendët Ilir Kunushevcin. Vrasja e tij është ende e pa sqaruar?

14 vjet pas lufte, para pak kohe e festuam 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. U përmendën shumë heronj, nëse veç pak këto dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, i vlerësojnë kaq shumë heronjtë, ata që kanë gjuajtur mbi Ilir Konushevcin dhe të tjerët, duhet t’i gjejnë dhe t’i kapin. Unë mendoj që dikujt vrasja e Ilir Konushevcit nuk i konvenon të zbulohet, e edhe shumë vrasjeve tjera. Po e them që ai njeri që ka shti mbi Ilir Konushevcin dheu brenda mos e lasht.

Është folur edhe shumë për vrasjen e Zahir Pjazitit. Thuhet që është qitur në prit, ka versione të ndryshme?

Po normalisht një gueril ka qenë Zahiri dhe ai ka lëvizur tërë kohën. Për vrasjen e Zahir Pjazitit mund të flet Nait Hasani.

Pse çka dinë Nait Hasani?

Po Nait Hsani është kap ma herët nga sigurimi shtetëror i Serbisë atë kohë. Është arrestuar. Naiti, Zahirin nuk e ka njohur me emër, Naiti e ka njohur Zahirin me pseudonimin Ismet. Ka njerëz që kanë pasur lidhje edhe me Naitin edhe me grupin tonë. Të sqarohemi edhe një herë.

A ka rrjedhur ndonjë informacion nga strukturat e UÇK-së për Zahirin?

Faktikisht po. Diçka ka rrjedhur. Çka ka lidhje Naiti? Po në rend të parë Nait Hsani duhet të kërkojë përgjegjësi për veten e tij, se kush e ka zbuluar. Unë i bëj thirrje Nait Hasanit publikisht që të tregoj kush e ka zbuluar, sepse Naiti ka qenë koordinator i shtabit qendror të UÇK-së. Dhe ai ka pasur punë me shumë njerëz që i kanë futur në strukturat e UÇK-së me CV të dyshimta dhe të pafiltruara dhe me biografi të dyshimtë. Kanë qenë strukturat e përziera që janë munduar të udhëheqin nga perëndimi, dhe kanë qëndruar në Hotel Tirana e janë munduar ta udhëheqin luftën dhe nuk ua ka marrë mendja t’i qesin dy hapa që të futen në luftë. E as nuk ua ka marr mendja që ta ngarkojnë kalin apo gomarin e t’i mësyhen bjeshkës për ta kaluar kufirin.

Po roli i FARK-ut cili ka qenë?

Tash po dal te vrasja e Ilir Kunushevcit. Shteti dhe organet duhet që ta studiojnë rastin e vrasjes së Ilir Konushevcit në Shqipëri, Ahmet Krasniqit në Tiranë, Agron Rrahmanit në Prishtinë, Bahri Fazliut në Plavë. Këta njerëz sot duhet ta gjejnë këtë trekëndëshin që kujt nuk i ka konvenuar që të mos funksionojë mirë ushtria dhe të mos jetë e bashkuar qysh i ka hije një populli.

Pse e lidhe FARK-un me Ilir Konushevcin dhe vrasjet tjera?

Sepse Ilir Konushevci ka qenë njeriu kryesor që nëpërmes tij kanë hyrë njerëz dhe armatimi në Kosovë… Këtu është në pyetje pse për 3 javë këta njerëz janë eliminuar. Unë mendoj se armiku kaq shpejt nuk mund të veprojë në zemër të njerëzve që donë të bashkohen…

Financat e UÇK-së a janë keqpërdor?

Shumë, shumë janë keqpërdor. Nga përgjegjësit, nga njerëzit që i kanë pasur nëpër dorë.

A ka bërë kush ndonjë përllogaritje sa pare i ka pasur UÇK-ja nëpër duar, a ke ide sa është shuma?

Shumë ka pasur pare, miliarda.

Miliarda?

Po, po, miliarda. Një miliard e 2 miliardë shkon. Shumë e vërtet është, sinqerisht. Krejt duke iu falënderuar diasporës.

Ku mbetën gjithë ato para?

Veç kush është qorr e nuk sheh, se tash po shihen. Kush është futur në biznes, kush ka ndërtuar rrokaqiej. Qita njerëz që e udhëheqin politikën. Ai ushtar, e ai epror që ka ardhur të luftojë për vend të vetin do të mbetet tërë jetën ushtar, e ai që ka ardhur të plaçkit, do të mbetet plaçkë dhe vetëm plaçkë tërë jetën.

Është bërë atentat dy herë ndaj teje. A e dini nga kush?

Unë sot asaj dite nuk e di. Unë i bëj apel publik nëse dikujt i kam borxh, o moralisht, o financiarisht, le të më lajmërohet unë ia kryej. Nuk dua të spekuloj, por unë kam informacione aq shumë sa dikujt- dikujt, disa njerëz që çirren dhe thirren në emër të luftës do t’i zhvlerësojë, do t’i devalvojë si dinarin e keq. Por në këtë moment pa vlerë, vetëm rrena ka vlerë. Pse është krijuar situata kështu nuk e di, me një fjalë është përzier bora dhe balta. Kur të vjen koha kur t’i thonë borës, borë e bardhë dhe baltës, baltë e zezë atëherë do të definohen gjërat. 

Lajme të ngjashme

Back to top button