Nami i keq i Kalasë së Kërçovës (FOTO)

Kalaja e Kërçovës, e vjetër me dhjetëra shekuj, sot është lënë në mëshirën e kohës pa asnjë investim, rindërtim ose edhe hulumtim të ri. Për më tepër, ajo ka marr një nam të keq mes qytetarëve si vend ku mblidhen narkomanët dhe alkoolikët.


Pozicioni i kalasë është shumë i përshtatshëm për të parë të gjithë qytetin dhe shumë nga fshatrat përreth tij. Tani ajo ka mbetur vetëm një kala pa derë, e mbushur me mbeturina, mure dhe shkallë të rrënuara dhe gjysma bustesh. Është fjala për shtatë bustet e vendosura pasi ngjitë shkallët pas kullës , dy pa koka, njërit prej të cilëve nuk i shkruan as emir, dhe tre të tjerë me koka por pa emra.

Dikur, shumë afër kalasë ka ekzistuar një restorant i cili i ka shtuar gjallërinë këtij vendi por sot në atë vend kanë mbetur vetëm muret e tij.


“Kam bërë një kërkesë  deri te organet shtetërorë që të zgjidhen disa arkitektë, nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova për të gërmuar dhe hulumtuar në kala për të zbuluar se kujt kohe i takon. Kërkesa u refuzua me arsyetimin se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të financuar gërmimet. Kalaja e Kërçovës është lënë pas dore dhe jo pa qëllim. Dikujt i ka penguar që të zbulohet e vërteta e kalasë. Pushteti i dinë rrënjët e saj Ilire andaj gjithmonë, edhe në kohën e komunizmit edhe sot, është penguar hulumtimi i mëtejshëm i saj.” – thotë Ilmi Veliu, drejtor i muzeut të Kërçovës dhe profesor i historisë.

Popullsia maqedonase atë e njeh si Kalaja Kitino dhe sipas legjendës maqedonase ajo e ka marrë emrin nga Kita, motra e Mbretit Marko, e cila ka sunduar këtë rajon në emër të tij. Por ky emër është i vjetër rreth 700 vite kurse dokumentet historike shumë pak flasin për këtë vend. 
Figura e objektit të kalasë gjendet në monedha të vjetra të cilat i takojnë shekullit të 3, 4 dhe 5 dhe gjendet në muzeun Arkeologjik në Shkup.

Në kohën e Perandorisë Osmane anësh kalasë ka ekzistuar një civilizim i cili si pasojë ka lënë qytetin sotëm të Kërçovës.

Në vitin 1941, me udhëheqjen e komunës nga një shqiptar, Ahmet Haxhi Sadiku, në këtë kala ka qenë i vendosur edhe busti i Skënderbeut dhe i njëjti është hequr në vitin 1945.
Sipas historisë maqedonase, përpara tij (1918-1941), në po atë vend, ka qenë i vendosur busti i mbretit serb Petar i Karagjorgjeviq dhe pas Skënderbeut është vendosur statuja gjigande e Ollga Miceska, heroinë e popullit maqedonas nga Kërçova. 

Sot, vendi ku kanë qenë bustet është i bërë me mermer dhe kanë mbetur vetëm gërmadhat e statujës së Ollgës.

Së fundmi, shoqëria civile shqiptare, ka filluar një iniciativë për të rikthyer bustin e Skënderbeut në këtë kala dhe ky proces vazhdon akoma.

Gjatë muajit prill, Drejtori i Institutit për mbrojtje e trashëgimisë kulturore, Pasko Kuzman, paralajmëroi që së shpejti do të fillojnë hulumtimet në këtë kala për të zbuluar nëse ajo është ose jo, kalaja e qytetit të lashtë të Uskanës.

Lajme të ngjashme

Back to top button