Provimi shtetëror për studentët kalon fazën e parë në Parlament

Propozim/ndryshimet e ligjeve për arsim kaluan leximin e parë në Kuvend. Pavarësisht protestave të profesorëve dhe studentëve, deputetët votuan “pro” propozim ndryshimeve. Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi theksoi se propozimi i dorëzuar në Kuvend është në përputhje me vërejtjet e studentëve të cilët kanë marrë pjesë në debatet e organizuara nga Ministria e Arsimit.

“Ne kemi organizuar edhe debate nëpër universitete, por edhe me fakultetet pedagogjike, por edhe me përfaqësuesit legjitim të studentëve, kemi marrë sugjerimet e tyre dhe propozimi që keni sot para jush është ndryshuar në mënyrë rrënjësore nga ndryshimi i parë, dhe këto ndryshime kanë ardhur pikërisht nga sugjerimet që janë dhënë nga studentët dhe universitetet”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Duke komentuar propozim/ndryshimet, PDSH-ja opozitare kërkoi që provimi shtetëror të aplikohet edhe ndaj politikanëve dhe funksionarëve. Sipas deputetit të kësaj partie Bekim Fazliu, Ademi duhej angazhuar për çështje shumë më të thjeshta dhe më jetike për arsimin shqip, si aplikimin e abetares mbarë-shqiptare, eliminimin e librave me gabime, ndryshimin e emrave të shkollave në Çair dhe përmirësimin e kushteve nëpër shkolla.

“Vazhdoni të luani rolin e armës në duart e VMRO-së që godet shqiptarët dhe realizon politikat e saj. Po të ishte ndryshe, ju prej ditës së parë duhej ta kishit zgjidhur çështjen e emrave të shkollave në Çair. Është problem kaq i vogël, por ja që për fajin tuaj nuk arrini ta zgjidhni një problem kaq të vogël”, u shpreh Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Ligjet kalojnë në lexim të dytë në Komisionin parlamentar për arsim, ku mund të propozohen ndërhyrje në tekstin ligjor përmes amendamenteve

Lajme të ngjashme

Back to top button