Qytetarët e Gostivarit zgjedhin si prioritet programin zhvillimor për arsim

Në sesionin përmbyllës të fazës së parë të Forumit Buxhetor, qytetarët e Gostivarit përzgjodhën programet buxhetore dhe projektet konkrete të cilave komuna e Gostivarit do të duhet tu jep përparësi gjatë realizimit të buxhetit themelor komunal.

Zgjedhja e prioriteteve u realizua përmes votimit nëpër tavolinat e punës, ku çdo tavolinë posedonte të drejta dhe peshë të barabartë. Në sesion u prioritizuan 12 programe zhvillimore dhe 31 projekte, ku forumi si më prioritar e vendosi programin zhvillimor Arsimi, kurse si projekt më prioritar Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në vendbanimet: Debresh, Raven, Hekurudha, Çegran, Pitarnicë, Zdunjë, Turçan i Madh, Turçan i Vogël, Balindoll, Banjicë e Poshtme, Tullana, Mllaki, vazhdimi i kanalizimit në Çajlë.

Në sesionin përmbyllës, pjesëmarrësve në forum iu drejtua kryetari i Këshillit, Nasir Musliu i cili tha se pjesëmarrësit në tavolina punuese kanë zhvilluar diskutime kualitative rreth buxhetit, programeve zhvillimore dhe projekteve të komunës, si dhe kanë shpalosur idetë dhe propozimet e tyre rreth asaj që e kanë cilësuar prioritare dhe me rëndësi për qytetarët e Gostivarit. “Ndonëse komuna e Gostivarit në vazhdimësi është në kontakt me qytetarët dhe merr parasysh nevojat, kërkesat, propozimet dhe sugjerimet e qytetarëve, Forumi buxhetor është një formë më e avancuar që qytetarët të kenë qasje më të afërt me pushtetin lokal dhe të bëhen aktorë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje për palknifikimin dhe realizimin buxhetit bazë të komunës dhe duke shpalosur idetë dhe nevojat reale të tyre, do të rrisin nivelin e cilësisë së jetesës dhe njëkohësisht edhe komuna do të zhvillojë një qeverisje më transparente dhe më të besueshme”, theksoi mes tjerash Musliu.

Të gjitha propozimet dhe idetë e qytetarëve janë shqyrtuar dhe janë marrë parasysh nga ana e Komunës, ku sesioni i pestë u fokusua në prioritizimin e programeve zhvillimore dhe projekteve të parapara për vitin 2015. Ndër programe prioritare pjesëmarrësit gjithashtu i listuan edhe programet zhvillimore Ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugëve dhe rrugicave, Ndërtimi i ujësjellësve dhe furnizim me ujë, Ndërtimi i sistemeve për largimin dhe pastrimin e ujërave të zeza etj; kurse si projekte tjera prioritare ndër të tjera, qytetarët i përcaktuan edhe Vazhdimin e ndërtimit të rrugës “201”, Ndërtimi i leximores, Pastrimi dhe rikonstruimi i shtratit të lumit, Ndërtimi-rikonstruimi i terreneve sportive në qytet, lagjet periferike dhe fshatra etj.

 

Faza e dytë e Forumit Buxhetor përmban implementimin praktik të buxhetit të komunës duke u bazuar në prioritizimin e forumit. Procesin e implementimit do ta ndjekë grupi punues i përcaktuar nga Forumi, i cili së bashku me Komunën në sesionin e gjashtë të vitit të ardhshëm do t’i prezantojnë rezultatet dhe të arritur e implementimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button