Ahmeti – Jazdgerdi: Marrëdhëniet ndëretnike janë shtylla e paqes në Maqedoni

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vizituar sot Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, ku realizoi takim pune me Drejtorin për çështje të Evropës Juglindore pranë Stejt Departmentit Amerikan, Tomas Jazdgerdi.

Ahmeti dhe Jasdgerdi diskutuan hapur mbi rrethanat politike në vend dhe rajon, integrimet EuroAtlantike, marrëdhëniet ndëretnike si dhe ato në koalicionin qeverisës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetës të fuqishëm të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe kjo u konfirmua në takimin e sotëm bashkë me zotimin për angazhim konkret për tejkalim të pengesave që po mbajnë Maqedoninë larg Brukselit.

Kryetari Ahmeti elaboroi mbi rëndësinë që ka NATO për vendin tonë dhe theksoi që çelësi për stabilitet të qëndrueshëm në vend dhe për marrëdhënie të shëndosha ndëretnike është integrimi EuroAtlantik, me theks të veçantë në aleancën veriperëndimore.

Marrëdhëniet ndëretnike janë shtylla e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së Maqedonisë, por këto marrëdhënie po tensionohen nga status quo në drejtim të tejkalimit të çështjes së emrit që po shkakton vonesa në integrimin e vendit, u konstatua nga takimi.

Kryetari Ahmeti theksoi që kursi pro perëndimor i shqiptarëve nuk do të ndryshon asnjëherë sepse këtë përcaktim e kemi të trashëguar edhe nga rilindja jonë kombëtare.

Kryetari Ahmeti nënvizoi shpresat tona të mëdha për angazhim të madh dhe konkret të Uashingtonit dhe Berlinit në veçanti, por edhe të vendeve tjera të BE, në vitin 2015 për përmbyllje përfundimtare të kontestit me Greqinë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që nevojitet vullnet politik nga palët e përfshira, por  Ahmeti tha që pa ndërmjetësimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, ky problem nuk tejkalohet dot.

Ahmeti foli edhe për marrëdhëniet me partnerët e koalicionit dhe sfidat e bashkëqeverisjes me ç ‘rast theksoi edhe dallimet në interpretimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Lajme të ngjashme

Back to top button