Shpërblimet për fundvit, Rama: Ja kush përfiton dhe sa merr

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga salla e Kuvendit bëri publik shumën e të gjitha shpërblimeve të fundvitit për kategoritë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë marrë të mërkurën.

Kryeministri zgjodhi të flasë me lekë të vjetra, ndërsa tha se qeveria ka ndryshuar filozofi në dhënien e shpërblimeve. Sipas tij, vëmendja duhet të jetë e njëjtë si ndaj personave në nevojë ashtu edhe atyre që kanë dhënë kontribut përgajtë këtij viti në arsim, shëndetësi e për sigurinë e vendit.

“Qasje e re që i jep fund traditës së lëmoshave dhe mungesës së stimujve për më të mirët. Besojmë se ashtu sikundër meritojnë vëmendje njerëzit në nevojë, ashtu meritojnë edhe mirënjohje njerëz të spikatur të kësaj shoqërie që kanë dhënë kontribut të posaçëm në këtë vit. Bazuar mbi këtë filozofi të re mbi dhënien e shpërblimeve kemi vendosur të shpërblejmë për vitin e ri personat me aftësi të kufizuar, pensionistët kryefamiljarë. Kemi vendosur edhe për të përballuar heqjen e fashës, shtuar këtu edhe pensionistët në përgjithësi por me një shpërblim tjetër.

Për pensionistët kryefamiljarë, për familjet me ndihmë ekonomike dhe aftësi të kufizuar, 30 mijë lekë (të vjetra) shpërblim.

Për pensionistët e tjerë do të jetë 20 mijë lekë (të vjetra).

Për veteranët dhe për të përndjekurit mbi 60 vjeç, 50 mijë lekë (të vjetra).

Njësia policore e Tiranës shpërblehet me 40 mijë Lekë (të vjetra)

Do të shpërblejmë të gjitha familjet e policëve të vrarë dhe të ushtarakëve në misionet jashtë Shqipërisë, shpërblimi 100 mijë lekë (të vjetra)

Shpërblejmë trupën mësimore të 10 shkollave të rankuara të parat në klasifikimin e maturave, me 400 mijë lekë (të vjetra)

Të gjithë nxënësit e shkëlqyer të Shqipërisë me 50 mijë lekë (të vjetra)

Shpërblejmë studentët e ekselencës, me 50 mijë lekë (të vjetra)

Tre shërbimet më të mira shëndetësore në Shqipëri me 400 mijë lekë (të vjetra)

Shpërblim edhe për një njësi modeste në numër, por që ka dhënë kontribut të posaçëm në shpëtimin e njërës prej pasurive natyrore të këtij vendi, Parku Kombëtar i Divjakës me 400 mijë lekë (të vjetra) për person.

Lista e përgjithshme e shpërblimeve të Vitit të Ri adreson nevojën për t’i qenë pranë dhe për t’ua bërë të gëzueshëm Vitin e Ri të gjithë atyre që janë në vështirësi me shuma që e tejkalojnë filozofinë e gjelit të detit, shpërblim dinjitoz që duam t’i shprehim mirënjohjen e respektit atyre që në sistemin arsimor, shëndetësor të sigurisë, kanë dhënë kontribut të posaçëm gjatë këtij viti, së bashku me heronjtë e shkëlqyer të kësaj kohe të Shqipërisë nxënësit me 10-a dhe studentët e ekselencës. Mirënjohje dhe respekt për veteranët e luftës dhe të gjithë të përndjekurit e regjimit komunist, i çmojmë dhe mbështesin në mënyrë simetrike si dy anët e medaljes të një Shqipëria që u çlirua nga idealistët dhe u përdhunua nga tradhtarët e dielave”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Fondi total që qeveria ka vendosur të vë në dispozicion për shpërblimin e fundvitit, vlerën e 1.8 milion dollarë.

Por cilat jane 10 gjimnazet me te mira ne Shqiperi, te cilat do te perfitojne shperblimin?

1.“Ismail Qemali” Tiranë
2.“Sami Frashëri” Tiranë
3.“Qemal Stafa” Tiranë
4.“28 Nëntori” Shkodër
5.“Petro Nini Luarasi” Tiranë
6.“Ali Demi” Vlorë
7.“18 Tetori” Lushnje
8.“Naim Frashëri” Durrës
9.“Themistokli Gërmenji” Korçë
10.“Dhaskal Todri” Elbasan . /Shqiptarja.com

Lajme të ngjashme

Back to top button