Unifikimi i lëvizjeve të reja politike: A do të ringjallet opozita shqiptare?

Opozita maqedonase vazhdimisht ditëve të fundit paralajmëron “bombën” politike e cila pritet kur do të shpërthejë pritet të jetë aq e fuqishme, saqë do të rrëzojë pushtetin aktual dhe kryeministrin Nikolla Gruevski. Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM)Zoran Zaev është decid se argumentet që ka në dorë opozita janë aq të fuqishme, saqë do të detyrojnë pushtetin aktual që të largohet brenda tre ditëve. Opozita maqedonase ka njoftuar se bomba e saj politike do të shpërthejë në momentin, kur ajo do të vlerësojë, duke mos bërë të qartë asnjë detaj lidhur me përmbajtjen e saj. Pushteti me qetësi e pret shpërthimin e kësaj bombe.

Heshtja e opozitës shqiptare

Përderisa opozita maqedonase është tejet aktive dhe vazhdimisht kritikon pushtetin, opozita shqiptare sipas ekspertëve është shumë e heshtur dhe pasive.

Profesori në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), Hasan Jashari vlerësoi se opozita shqiptare në Maqedoni thuajse nuk ekziston.  “PDSH  po paraqitet shpesh nëpërmjet 1-2 deputetëve dhe bën pak zhurmë, e kritikon BDI- pozitën shqiptare shumë  ashpër por kur vijnë zgjedhjet; edhe bashkëpunon me BDI që të eliminon forcat e  reja politike shqiptare. Ka shumë paqartësi në punën e sajë .Sa I përket PPD ajo  nuk po arrin ta merr veten ende si duhet por ka një qëndrim të theksuar dhe  veprim bindës opozitar. RDK-ja ka problemet e saja të brendshme dhe po shfrytëzon me të madhe mediat për veprimin e saj si opozitë”, tha sociologu Hasan Jashari duke shtuar se barra e opozitës bie mbi PDSH-në si parti parlamentare, e cila vepron jashtë krejt normave të teorisë, praktikës dhe traditës liberale. Jashari thotë sePDSH është rast unik i një partie opozitare e cila e përkrah pushtetin dhe atë pa kushte?!!!. “Pyetja është pse ndodh kjo? Sigurisht se këtu ka interesa dhe korrupsion”, tha Jashari.

Ndërkohë profesori Ali Pajaziti mendon se sa i përket opozitës shqiptare, mund të themi se një kohë relativisht të gjatë ajo është pasive. “Në bllokun shqiptar kemi pasur një moratorium opozitar, pra të dyja partitë politike sikur janë koordinuar mes vete dhe kanë pasqyruar një jehonë të panatyrshme për raportet pozitë – opozitë, me disa përjashtime të vogla. Kjo është arsyeja e një shpërthimi masiv të pakënaqësisë ndaj subjekteve ekzistuese që shënohet gjithandej, por që për fat të keq ende nuk është matur me mekanizma empirikë, pra me ndonjë sondazh politologjik. Kjo që ndodh tek ne me partitë politike është sui generis, dukuri e llojit të vet. Një pozitë shqiptare që funksionon si e paqenë, që vetëm defilon, ndërsa substancialisht s’është në asnjë veprim dhe aksion relevant të qeverisë që i ka të gjitha elementet e një partitokracie, që mundohet të na shesë edhe të pamundurën, elementet e huaja sikur të ishin tonat, që njëherë në mënyrë arbitrare aprovon, pastaj i nxjerre gjërat për debat publik, edhe atë një herë në nivel partiak siç konfirmojnë deklaratat do të vendosë kryesia, organet e partisë”, tha Pajaziti.

Paradoksi i opozitës

Edhe gazetari Arben Zeqiri vëren se përderisa opozita maqedonase është shumë reaguese, opozita shqiptare është shumë pasive dhe këtë sipas tij e argumenton fakti që ajo asnjëherë nuk ka organizuar protestë kundër pushtetit. “Për dallim nga opozita maqedonase e cila edhe për një vendim më të thjeshtë të Qeverisë apo për dy muaj vonesë të ndihmës sociale, për 10 ushtarë të larguar nga puna dhe për transport të 10 arsimtarëve në një fshat nxjerr mijëra protestues në protestë, opozita shqiptare për dhjetë vite radhazi me gjithë ato padrejtësi që ju bëhen shqiptarëve nuk ka thirrur ende asnjëherë në protestë. Përveç kësaj, opozita aktuale shqiptare është shumë e vonuar edhe në reagimet proforma si ato me shkrim ose konferencat për shtyp”, tha gazetari Zeqiri. Sipas tij veprimi opozitar i partive shqiptare shoqërohet edhe me paradokse.  “Rasti i fundit ishte skandaloz, paramendoni deputetja e pushtetit Ermira Mehmeti reagon ndaj një vendimi të Qeverisë së saj para opozitës shqiptare, e cila reagoi pas 4 ditëve. Kështu ishte edhe me përmendoren e Car Dushanit, kur zyrtarë të BDI-së, qoftë edhe me aktrim, të paktën dolën dhe aktruan sikur e thyejnë përmendoren, ndërsa PDSH-ja reagoi pas 3-4 ditëve”, tha Zeqiri.

Por si vrojtohet angazhimi publik i partive te reja politike, Lëvizja për reforma PDSH dhe Lëvizja politike BESA?

Profesori Jashari vlerëson se ndryshimet në skenën politike shqiptare do të vijnë, pasi ato janë të pashmangshme. “Këto ndryshime i sjell vota e lirë dhe fajtorë për këtë situatë jemi të gjithë ne. Legjenda Ali Ahmeti po rrënohet, po bëhet një tragjikomedi e shëmtuar. Mendimi im është se këto parti do të krijojnë një front të përbashkët kundër BDI-së dhe PDSH-së dhe do të kërkojnë nga populli që definitivisht këto parti të shkojnë në histori si të harxhuara. Pyetja është se sa do të kenë sukses? Do të jetë vështirë, shumë vështirë duke marrë parasysh miqësinë BDI dhe PDSH me Gruevskin, me paratë dhe shfrytëzimin e resurseve publike”, theksoi Jashari.

Ndërsa profesori Pajaziti thotë se tani vërejmë se jemi në fazën e inkubacionit të një opozite të re shqiptare, e cila me veprimet e veta mund të sjellë risi dhe premton se do ta begatojë spektrin politik shqiptar me një zë tjetër fare. “Kujtoj se potenciali i shqiptarëve për të gjeneruar një subjekt aktiv në plotkuptimin e fjalës nuk është konsumuar, se kemi kapacitete intelektuale dhe politikbërëse për të pasur aktorë të vërtetë në skenën politike e jo vetëm statistë. Shpresa mbetet tek një masë e pakonsumuar, tek një elitë e re që duhet në mënyrë akute të marrë mbi supe një barrë të rëndë, misionin për të na shpëtuar nga indiferenca që s’e kemi pasur asnjëherë”, thotë Pajaziti.

Bashkimi i grupeve opozitare

Ndërsa gazetari Zeqiri konstaton se lëvizjet e reja politike shqiptare vijnë pikërisht si pasojë e letargjisë që ka kapluar opozitën shqiptare, që për pasojë i jep pushtetit aktual komoditet që të bëjë çfarëdo pazare dhe të mos frikësohet nga reagimi i opozitës: “Lëvizjet e reja nga vetë emërtimi tregojnë se duan të lëvizin diçka që ka ngecur në vend, për të mos thënë që ka filluar edhe të shkojë mbrapa. Lëvizjet e reja kanë mundësinë që të shfrytëzojnë pakënaqësinë e popullatës si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, por mbetet të shihet se sa do ta shfrytëzojnë”. Sipas Zeqirit nëse lëvizjet e reja politike shqiptare vazhdojnë të ruajnë sedrat personale dhe grupore siç bënte opozita e deritanishme, do ti pret një fat më i keq, por nëse arrijnë të gjejnë guximin dhe të hyjnë në një bllok do të japin një sinjal serioz për qytetarët dhe do të dëshmojnë se dallojnë nga partitë aktuale parlamentare si ajo në pushtet ashtu edhe ajo në opozitë.Lëvizja politike Besa është deklaruar se është e hapur për bashkëpunim me subjektet politike shqiptare dhe me të gjithë ata që kanë interes përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, ndërkohë Lëvizja për reforma në PDSH-dega e Tetovës, nëpërmjet rrjetit social Facebook ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës shqiptare./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button