Analistët: Thaçi do ta fuqizojë diplomacinë

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se pozicionimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi në postin e ministrit të Punëve të Jashtme do ta fuqizojë diplomacinë e Kosovës.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti ka thënë për ‘Epoka e Re’ se emërimi i Thaçit si kryediplomat i Kosovës do të jetë pozitiv për politikën e jashtme.

Ai ka thënë se me kontaktet që ka krijuar Thaçi gjatë këtyre viteve me ndërkombëtarët, politika e jashtme do të bëhet më e fuqishme.

“Parimisht mendoj se është një impuls shumë më pozitiv për politikën e jashtme kur në majë të kësaj politike vendoset një ish-kryeministër. Përvoja e tij, kontaktet me ndërkombëtarët janë asete shtesë, sepse Thaçi ka qenë kryeministër dhe të gjitha këto asete, këto vlera mund të shfrytëzohen në mënyrë shumë pozitive në një dikaster që është shumë më i ngushtë se ajo që ka bërë Thaçi deri më tani. Pa dashur të jem shumë optimist, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që politika jonë e jashtme të bëhet shumë e fuqishme në vitet në vijim por se sa do të bëhet kjo, mbetet të shihet”, ka thënë ai.

Edhe analisti Bekim Baliqi thotë se është vështirë të parashikohet rezultati që do të ketë Thaçi në politikën e jashtme. Por thotë se fuqia politike që mund ta ketë Thaçi, do t’ia lehtësojë punën atij ne sferën e diplomacisë.

“Besoj se Thaçi mund të konsolidojë stafin diplomatik dhe strukturën për shkak të fuqisë politike që ka dhe për shkak të një konsensusi të madh politik. Sa i përket suksesit, kjo varet edhe nga programi dhe plani që ka ai për politikën e jashtme. Është e vështirë parashikohet diçka para se ta shohim strategjinë e tij. Megjithatë, mendoj se do ta lehtësojë punën, në kuptimin se ka një fuqi më të madhe politike që mund të stabilizojë pak a shumë stafin diplomatikë. Natyrisht edhe për shkak të kontakteve që ka gjatë këtyre viteve”, ka thënë Baliqi, shkruan Epoka e Re. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button