Rama: Mjaft më me llaç e tulla, investoni në bujqësi

Kryeministri Edi Rama, i ka bërë thirrje sot biznesmenëve të vjetër të ndërtimit, që pas 20 vjetësh investime në këtë fushë, t’i derdhin paratë që kanë mbledhur, në bujqësi e blegtori, pasi aty do të kenë edhe mbështetjen financiare të shtetit.

Rama garantoi se “financojmë shumë më fort skemat që sjellin sukses, që sjellin fitim, që sjellin punësim, që sjellin eksport dhe nuk kemi më punë me shpërndarjen e parave lart e poshtë që të treten në lumin e madh të mbijetesës”.

Këtë thirrje, ai e ka bërë nga një biznes i ngritur në Prezë të Tiranës që merret me përpunimin e mishit, biznes që me mbështetjen prej 15 milionë lekësh të AZHBR-së, dyfishoi në pak muaj prodhimin dhe të punësuarit.

“I bëjmë thirrje sipërmarrësve që ende nuk i kanë kthyer sytë nga fshati, që e kanë kaluar këtë 20-vjeçar me tulla e me llaç, që kursimet e tyre, depozitat e tyre, që tani janë të taksuara më shumë, t’i nxjerrin nga bankat dhe t’i hedhin për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral”, është shprehur Rama

“Për ne, zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë, i fshatit në tërësi, është prioritet kombëtar. Sot ka një politikë tërësisht të re të kalimit nga bujqësia e mbijetesës dhe e lëmoshave, të shpërndara lart e poshtë pa kriter dhe pa karar, për mbijetesë dhe qëllime banale elektorale, tek bujqësia e zhvillimit intensiv përmes krijimit të shembujve dhe vendosjes së themeleve të një transformimi të bazuar tek cikli i mbyllur”, vijoi kreu i qeverisë.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të vetëdijësohen që ne jemi në dispozicion të atyre që duan të marrin pjesë në betejën e madhe për të kaluar nga mesjeta në kapitalizmin në fshat; kapitalizmi, në kuptimin e marrëdhënieve totalisht të reja të prodhimit dhe marrëdhënieve totalisht të reja me shtetin”, garantoi Edi Rama. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button