Ligji i mediave, përlpasen LSDM dhe VMRO

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, ndan shqetësimin me OSBE-në se Ligji për mediume nuk përputhet me legjislacionin evropian, tha sot Jani Makraduli.

“LSDM ndan shqetësimin e njëjtë si OSBE-ja se ky ligj hap mundësi shtesë të heshten qëndrimet kritike dhe të kufizohet liria e shprehjes. Përveç kësaj, ambienti në të cilin vjen ky ligj është shqetësues, në kushte kur gazetarët me dhunë u larguan nga Parlamenti, ka gazetarë në paraburgim për tekst të publikuar në vitin 2008, mbetën dyshimet për vdekjen e Mlladenov, ndërsa partia në pushtet vazhdon me etiketime publike për redaktorët që tregojnë qëndrimet e tyre. Për këtë arsye, LSDM-ja kërkon që të tërhiqen dy projekt-ligjet, jo vetëm pse OSBE-ja ka kërkuar, por edhe për arsye të vetë neve dhe për t’i mbrojtur gazetarët dhe lirinë e të shprehurit, si themel i një shteti të lirë”, tha Makraduli, në konferencën për shtyp.

Sipas LSDM-së, versioni i ri duhet ta departizojë dhe depolitizojë Agjencinë, në të cilën shumica e anëtarëve vinë si propozim nga shoqata të pavarura, ndërsa fjala e tyre të bëhet me dy të tretat. Gjithashtu, Makraduli rikujtoi se LSDM rekomandojn që mos të ekzistojë kontrolli mbi mediumet e shtypit dhe elektronike, të fshihen dispozitat për mbikqyrje ndaj mediumeve, të zvogëlohen dënimet e parashikuara dhe me këtë t’i iket rrezikut që vetërregullimi të shndërrohet në vetëcensurim.

“Debati publik është zgjidhje vetëm nëse qëllimi është për ligj të ri, e jo vetëm alibi si në debatet e tjera publike ku kërkesat e organizatave qytetare mbetën të humbura në sallat ku është debatuar”, tha Makraduli.

Reagon VMRO-DPMNE-ja kundër LSDM-së

VMRO-DPMNE reagon në lidhje me deklaratën e deputetit Jani Makraduli nga LSDM, duke thënë se në kuadër të teksteve të ligjit për mediume dhe shërbimeve audiovizuale, janë inkorporuar një numër i madh i vërejtjeve dhe rekomandimeve të cilat vijnë nga OSBE dhe Këshilli iEvropës, por edhe nga shoqata dhe asociacione të gazetarëve, nga mediumet elektronike private, nga shoqatat e radiodifuzionit lokal dhe rajonal, nga provajderët e internetit dhe të tjera.

Partia qeveritare i bëri thirrje opozitës që në vend se të merret me sulme me çdo kusht, në mënyrë konstruktive dhe të arsyeshme, të futet në këtë proces për votimin e këtyre dy ligjeve.

Dje, përplasje për këtë Ligj kishin BDI dhe PDSH.

Ditë më parë organizatat e gazetarëve kërkuan që Qeveria ta tërheq ligjin për media sepse për të nuk ka nevojë ndërsa rekomandimet e ndërkombëtarëve nuk janë marrë parasysh.

/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button