Kisha megjithatë do të ndërtohet në Tetovë

Kishë e re në afërsi të stadiumit të Tetovës që gjendet në lagjen Drenovec, të rikthehen bustet e heronjve maqedonas të Luftës së Dytë Botërore që u hoqën nga qendra e Tetovës por të vendosen në Muzeun e qytetit, të mos ndërtohen përmendore të reja të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, drejtorë maqedonas në shkollën fillore “Kikish” dhe të mesme bujqësore “Mosha Pijade” ndërkaq drejtorët e çerdheve të jenë të përbashkët shqiptar dhe maqedonas. 
Ndërmarrja komunale të ndahet në dy pjesë dhe njëra të udhëhiqet nga kuadër maqedonas, 30% e punësimeve në Komunë tu takojnë maqedonasve, nga tetë sektorët në Komunë dy pozitat udhëheqëse ti takojnë VMRO-së si dhe pozita e drejtorit të Zjarrfikësve.

Këto janë detajet e marrëveshjes BDI-VMRO të cilat i ka bërë publike e përditshmja Dnevnik, marrëveshje parazgjedhore të cilën BDI me ngulm e mohonte ndërsa VMRO publikisht fliste se kishte një të tillë.

Më këtë marrëveshje BDI dhe VMRO formojnë shumicën në Këshillin e Tetovës dhe të enjten kryetar zgjidhet Isen Xhemaili.

Kisha afër stadiumit, Arifi nuk mohon
Nga VMRO për këtë gazetë thonë se Kisha është pjesë e marrëveshjes parazgjedhore dhe se do të ndërtohet në afërsi të stadiumit të Tetovës në lagjen Drenovec.

Nga ana tjetër kryetarja e Komunës së Tetovës për Portalb duke mos u përgjigjur saktë në pyetjen tonë, nuk ka mohuar një gjë të tillë.

“Marrëveshja me VMRO-në është një marrëveshje politike me të cilën kemi ndarë pushtetin, në bazë të votave që kemi marrë në zgjedhjet e fundit. Partitë mundet të bëjnë ndarjen e pushtetit dhe për asgjë tjetër nuk mund të diskutojnë  përpos për çështje që i tangojnë qytetarët dhe ne do të punojmë për problemet qytetarëve dhe jo për gjëra të tjera” deklaroi Teuta Arifi. 

Portalb tentoi të merr prononcim nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Maqedonase në Tetovë por ata  nuk deshën të prononcohen në lidhje me këtë.  

Nga partia e Ahmetit thonë se ndërtimi i Kishës nuk është nën kompetenca të Komunës ndërsa nuk do kishin asgjë kundër nëse ndërtimin e iniciojnë një grup qytetarësh. Vendimi për ndërtimin e kishës është sjellë që në kohën e qeverisjes së Hazbi Likës, thonë ata por nuk besojnë që do respektohet.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button