Pas urës, le të mbretërojë papastërtia! (FOTO)

Komuna e Qendrës si duket  lë pas dore pastrimin e rrugëve të saja në pjesën këndej lumit Vardar, dhe papastërtia është e evidente.

Qytetarët thonë që kjo rrugë e cila ndodhet pranë objektit të Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, në afërsi të Kalasë nëpërmjet të cilës hyn në Çarshinë e vjetër, është e stërmbushur me mbeturina.

“Pak metra më larg rrugët ngjajnë si më qen në një qytet tjetër sidomos tani me projektin e fundit skandaloz ‘Shkupi 2014’, kurse kjo rrugë e cila shpie për në Çarshinë e Vjetër është gjithmonë e mbushur me mbeturina dhe kundërmon një erë e padurueshme”, tha për Portalb, Gani T., qytetarë.

Mbeturina UEJL 1

Disa qytetarë të tjerë thonë se studentët janë të papërgjegjshëm dhe gjuajnë mbeturina ku nuk duhet.

“Mbeturinat janë të dukshme dhe pothuajse gjithmonë janë prezent, por unë personalisht me shumë fajësoj qytetarët dhe këtë rast studentët pasi që ndodhen këtu pranë, që hedhin mbeturina aty nuk e kanë vendin. Edhe po të pastrohet vendi nëse qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se si të mbajnë pastërtinë, atëherë është e kotë”, tha Maja Ristovska, qytetare.

Nga ana tjetër studentet thonë se nga ajo anë as që kalojnë dhe nuk kanë si të hedhin mbeturina.

Mbeturina UEJL 2

“Nga ajo anë nuk kalohet për të hyrë në Universitet, edhe duke u bazuar në erën që kundërmon, mund të konstatojmë se ato mbeturina janë aty për një kohë të gjatë. Qytetarët duhet të kujdesen për pastërtinë ajo është fakt, mirëpo nuk duhet të drejtojnë gishtin tek ne, ngase nuk janë gjithmonë qytetarët fajtor”, thanë disa studentë të UEJL-së.

Redaksia Portalb, kohë më parë u interesua për objektin e braktisur që ndodhet në këtë rrugë, por nga komuna e Çairit u bë me dije se kjo pjesë i takon komunës Qendër dhe se ata nuk e dinë se i kujt është dhe nuk kanë të bëjnë me pamjet negative që e jep ai.

Nga sektori për komunikim në komunën Qendër për Portalb, thonë se do të shqyrtohet kjo çështje dhe nëse kjo rrugë bie mbi komunën e tyre atëherë do të ndërmerren masa.

Ndërkaq sipas kufijve të komunës Qendër, kjo rrugë e paraqitur në fotografitë më lart bie nën kompetencat e kësaj komune.

Komuna Qender -kufinjtë

Lajme të ngjashme

Back to top button