Shkëndija kërkon tri pikë edhe ndaj Renovës (Video)

Xhiroja e 14-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë sjell derbin lokal të Tetovës, ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës. ‘Kuqezinjtë’ janë në seri prej dy fitoreve me Horizontin si mysafir dhe Metalurgun në Tetovë dhe tani kërkojnë tre pikë të reja edhe në derbin e qytetit. Renova kushtimisht thënë do të jetë ‘vendase’ në këtë duel dhe sigurisht kërkon sukses për tu larguar nga pjesa e poshtme e tabelës, ndërsa janë të entuziazmuar pas triumfit të mesfjavës në transfertën me Pelisterin. Ndërkohë stafi teknik dhe futbollistët e Shkëndijës nuk preokupohen shumë me planet e kundërshtarit, por shikojnë punën e tyre, duke tentuar që sa më të përgatitur të presin duelin e të shtunës.

“Jemi të gatshëm për sfidën me Renovën, derbi i qytetit që në vete mban adrenalin shtesë. Respektojmë kundërshtarin, mirëpo ne kërkojmë të vazhdojmë serinë pozitive të nisur me Horizontin dhe Metalurgun. Reaguam mirë pas dështimeve me Vardarin dhe tani do të mundohemi të sjellim vazhdimësi. Presim shumë tifozë që do të na mbështesin neve, le të jetë një atmosferë korrekte në tribuna, ndërsa ne futbollistët do tentojmë që me lojë të mirë të arsyetojmë përkrahjen. Besoj se nëse realizojmë detyrat që do na japë stafi teknik dhe nëse luajmë ashtu si dijmë dhe si mundemi, tre pikët në fund do të na takojnë neve”, deklaroi mesfushori i Shkëndijës, Besmir Bojku.

Pas fitores të së mërkurës me Metalurgun, ekipi është munduar të rekuperohet me shpejtësi, pasi në rradhë është dueli tjetër i rëndësishëm me Renovën. Skuadra pretendon të vazhdojë ecurinë pozitive dhe të marrë tre pikë edhe nga ky duel. Trajneri Kozniku për këtë ndeshje ka grumbulluar 16-të futbollistë që kishte në dispozicion të mërkurën me Metalurgun, plus Elvir Nurishin, pasi jashta listës mbesin mesfushorët Alimi dhe Pollozhani. I fundit ende është jashta procesit stërvitor dhe prej të martën pritet të nisë me ushtrime më të lehta, ndërsa Alimi edhe pse të premten ushtroi me pjesën e mbetur të skuadrës, do të ‘kërcejë’ edhe këtë ndeshje pasi stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë deri sa lojtari të jetë 100% i gatshëm për lojë. Ndërkohë me ekipin e shpresave do të luajnë të rrinjtë Shpend Asani dhe Enur Totre. Ndeshja Renova-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:30.

Lajme të ngjashme

Back to top button