Shkupi solli Asanin, por humbi Osmanin

KF Shkupi ka vazhduar të sjellë përforcime të reja, duke angazhuar dhe një lojtar me shumë përvojë, e që më parë ka qenë dhe pjesë e KF Shkupit. 
Fjala është për Bunjamin Asanin, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e ekipit Kapaz që ka luajtur në Premier Ligën e Azerbajxhanit, që llogaritet një nga ligat më të forta, ku është bërë një investim i madh në sportin e futbollit.

Asani nga dita e shtunë është grumbulluar me ekipin e Shkupit, kur edhe kishte paraqitjen e tij të parë në kuadër të ndeshjes miqësore që skuadra e Shkupit e luajti me Vrapçishtin në stadiumin e Çairit. Edhe pse ndeshje ishte e karakterit miqësor, kështu nuk u pa edhe në fushë, pasi që pas një ndërhyrje shumë të ashpër të Shaban Sulejman, përforcimi i madh i Shkupit Minas Osmani, ka thyer këmbën dhe ndeshja është ndërprerë që në këtë moment. 

Minasi është dërguar me ndihmën e shpejtë në spital, ku menjëherë i është operuar këmba. “Ka mundë të jetë edhe më keq, mirë jam tash, është bërë ndërhyrje kirurgjikale dhe kam të thyer kockën në dy vende. Shpresoj se do të kthehem në fushë edhe më fortë dhe do të jap maksimumin për klubin tim të zemrës. Do të falënderoj kryesin e klubit dhe në veçanti faleminderit të madh deri te “Shvercerat” të cilët më kanë dhënë përkrahjen më të madhe”, është shprehur Osmani për “Portalb”. Sipas informacioneve që arritëm të marrim nga stafi mjekësor, Osmani pritet që për 3 muaj e gjysmë të kthehet në fushën e blertë, duke filluar që të stërvitet me klubin. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button