Kosova e nisi me disfatë aventurën hendbollistike

Përfaqësuesja e Kosovës në Hendboll zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare dhe historike në arenën ndërkombëtare edhe pse nuk kaloi aspak mirë me rezultat në Dinamo Arena të Bukureshtit përballë Rumanisë në duelin e fazës së parë të kualifikimeve për Euro 2018. 15 minutat e pjesës së parë ishin pozitive për kosovarët të cilët nuk lejuan kundërshtarin të ikte më tepër se 2 gola diferencë, mirëpo përfundimi nuk ishte i duhur dhe pas 30 minutave Rumania shkoi në pushim me 7 gola dallim 17-10.

5 minutat e parë të pjesës së dytë ishin pozitive për Kosovën që realizoi 4 dhe nuk pësoi asnjë gol. Megjithatë në 6 minutat në vazhdim rumunët arritën të realizojnë 6 herë dhe pas 45 minutave lojë krijuan epërsinë më thellë prej 8 golave, 23 – 15. Pas kësaj rumunët ngritën edhe më tej ritmin e lojës duke dominuar në tërësi dhe fituar sfidën bindshëm. Duhet theksuar që Kosova në këtë duel humbi tre shtatë-metrësh

Enis Kabashi dhe Kreshnik Krasniqi nuk arritën të realizonin në pjesën e parë ndërsa Florim Hoxha në të dytën. Florim Hoxha ishte top realizues i Kosovës me 7 gola i ndjekur nga Ylber Mjeku me 5 dhe Kastriot Jupa që shënoi 3 herë. Por kjo nuk mjaftoi.

Rumani – Kosovë në fund 36-24. Për Kosovën kalimi në fazën e dytë kualifikuese tanimë duket mision i pamundur pasi që ndeshja e kthimit e cila zhvillohet në Prishtinë të shtunën në mbrëmje duhet të fitohet me jo më pak se 13 gola diferencë.

Lajme të ngjashme

Back to top button