Vëllazërimi shkarkoi trajnerin Shabani

Strategu Shkupjan është shkarkuar nga kjo pozitë dy ditë pas disfatës nga Drita, ndeshje të cilën e humbën në Kërçovë në kuadër të xhiros së 11-të, me rezultat 0:2.

Sipas burimeve të gazetës “Koha”, të cilat i ka konfirmuar edhe vet trajneri Nexhat Shabani dhe kryetari i klubit Vëllazërimi, Enver Ipçja, pas ndeshjes me Dritën është mbledhur kryesia e klubit dhe me vendim unanim kanë shkarkuar trajnerin shkupjan.

Sipas kryetarit Ipçja, vendimi për shkarkimin e Nexhat Shabanit ka qenë i kryesisë, ndërsa personalisht ai ka qenë i kënaqur me punën e deritanishme që ka bërë trajneri shkupjan. “Në mbledhjen e kryesisë vendosëm që trajneri Nexhat Shabani të mos jetë trajner i Vëllazërimit. Nuk është shkarkuar se pse nuk ka pasur rezultateve, përkundrazi ato nuk kanë munguar, por thjeshtë kryesia kështu vendosi menjëherë pas ndeshjes me Dritën. Në mbledhje nuk ishte prezent Nexhat Shabani, vendimin ia kam treguar unë personalisht nëpërmjet celularit. Kishim një diskutim korrekt për mendimin tim ku unë i tregova se kryesia ka sjell vendim që ta shkarkojnë nga pozita e trajnerit”, u shpreh për “Koha” Ipçja, i cili pozitën e kryetarit të klubit është duke e ushtruar gati dy javë, pasi më herët ky post i ka takuar Lulzim Mehmedit.

Nexhat Shabani nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e kryesisë së Vëllazërimit. Sipas tij arsyet për shkarkimin nuk janë rezultatet. “Nuk di as vet çka t’ju them. Vëllazërimi aktualisht gjendet në pozitën e dytë në renditjen tabelore, sigurisht këtu ka gisht dikush tjetër duke marrë parasysh se para disa kohës u formua kryesi e re dhe. Hendikep më i madh ka qenë se javën që shkoi nuk isha në Maqedoni. Pas ndeshjes me Dritën, kanë mbajtur mbledhje dhe arsyet i dinë vetëm ata. Mirëpo, mendoj se arsyet nuk mund të jenë rezultatet, pasi ekipi aktualisht mban pozitën e dytë”, ka thënë për gazetën “Koha” Shabani.

Nga ana tjetër, pas shkarkimit të Nexhat Shabanit, nga radhët e skuadrës kërçovare është larguar edhe futbollisti Emir Shabani, i cili është edhe djali i trajnerit. Vendimi për largimin e Emir Shabanit nga skuadra kërçovare sipas gazetës “Koha”, ka qenë shkarkimi i babait të tij Nexhat Shabanit. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button