Qeveria së bashku me Ministrinë e Kulturës nuk përfillin shqiptarët

Ditë më parë u bë promovimi i 30 titujve të rinj të projektit Qeveritar që iu nda Ministrisë së Kulturës për përkthimin e 540 titujve nën emrin “Yjet e literaturës botërore”,  i cili po realizohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Sekretari shtetëror pranë këtij institucioni, Behixhudin Shehapi bën të ditur për Portalb se gjatë vitit në vijim do të ndahen mjete edhe për përkthimin në gjuhën shqipe, por sa do të realizohet kjo mbetet të shohim në vitin 2015, kur edhe do të përfundojë ky projekt trevjeçar.

“Është e vërtetë që deri më tani përkthimi është bërë vetëm në gjuhën maqedonase, por gjatë vitit në vijim do të bëhet përkthimi edhe në gjuhën shqipe. Qeveria do të ndajë mjete shtesë për këtë projekt”, tha për Portalb, Shehapi.

Ky projekt filloi në vitin 2012 dhe parasheh që deri në vitin 2015 të përfundojë botimin e 560 veprave nga thesari i letërsisë botërore, që deri më tani gjithsej 360 vepra veç më janë përkthyer në gjuhën maqedonase dhe në atë shqipe ende asnjë.

Kur do të fillojë përkthimi në gjuhën shqipe dhe kur do të përfunojë? Është pyetja e Portalb, e cila nuk mori përgjigje nga Shehapi.

Kurse nga ana tjetë, gjatë promovimeve të titujve të këtij projekti kryeministri Nikolla Gruevski, nuk përmend asnjëherë se këto libra do të përkthehen edhe në ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.

Projektet qeveritare financohen nga taksapaguesit e Maqedonisë, nga paratë e popullit ku 25 për qind janë shqiptarë sipas matjes së popullsisë në vitin 2002.

Shqiptarët s’do të përfitojnë libra edhe pse janë taksapagues

Shkrimitari Xhabir Ahmeti këtë diskriminim e sheh si një problem të madh për kulturën shqipe. Ai madje thotë se shteti është i detyruar të bëj projekte të përbashkëta për shkak se një e treat e buxhetit mbushet nga shqiptarët.

“Ky është një problem shumë serioz dhe duhet të shprehet pakënaqësi por fatkeqësisht asgjë nuk ndërmerret, asgjë nuk ndryshon. Faji duhet të kërkohet te pushtetarët tanë sepse në çdo projekt ne duhet të jemi pjesëmarrës ashtu siç jemi taksapagues, ku mbushim buxhetin por fatkeqësisht ndarja pastaj nuk bëhet e drejtë. Deri më tani asnjë ministër, asnjë deputet madje as sekretari shtetëror në atë institucion nuk ka ngritur zërin për diskriminimin e madh që po i bëhet kulturës shqiptare, por vetëm dalin me deklarata boshe lidhur me dygjuhësinë”, tha për Portalb, Ahmeti.

Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni (SHBSH), Qamil Rufati bën të ditur që nuk është i njoftuar për këtë projekt, mirëpo është i shqetësuar për diskriminimin e shqiptarëve në Ministrinë e Kulturës.

“Do të takohemi me sekretarin shtetëror pranë kësaj ministrie gjatë javës që vjen dhe do të konsultohemi për të gjitha projektet në të cilat ne nuk përfshihemi. Do pyesim për kriteret e ashpra që na vendohen për projektin e përkthimit të veprave të autorëve vendas në gjuhë të huaj. Ne sapo përfunduam panairin e Librit në Tetovë dhe kemi mjaft material të mirë që duhet të përkthehet edhe në gjuhët e huaja. Për projektin në fjalë nuk kemi informacion por nëse është kështu atëherë është i tmerrshëm ky anashkalim dhe diskriminim i shqiptarëve”, tha për Portalb, Rufati.

Ky nuk është problemi i vetëm i shqiptarëve të cilëve ankohen për diskriminim nga Ministria e Kulturës.

LEXO MË SHUMË:

Qeveria nuk përkthen librat në gjuhën shqipe, vetëm në maqedonisht

Kulturë: Premtohet me të madhe, realiteti i djeg projektet!

Programi i Kulturës si ‘Shkupi 2014’ shqiptarët përjashtohen

Autorët shqiptarë: Ndjehemi të përjashtuar nga konkurset e Ministrisë

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button