Nacionalizmi maqedon dhe ai shqiptar

Nacionalizmin e kuptoj në raste kur ai mobilizon popullin për të ruajtur të kaluarën, të arriturat kulturore që i japin formë, përmbajtje dhe kuptim ekzistencës sonë. Një mobilizim i këtillë përballë një armiku që dëshiron të të zhdukë,është i domosdoshëm, sepse pikë së pariështë mbrojtje, e vetës, por pastaj edhe e gjërave që i duam. Kuptohet, kur nacionalizmi bën këtë ai mbron jo vetëm të drejtat kulturore të veçanta të një populli, por edhe trashëgiminë universale të materializuar në këtë popull.

Këtë e kuptoj në nacionalizëm ngase çdo ideologji tjetër qëështë në pozitë dominante do të bënte të njëjtën. Kjo është diçka pothuajse instinktuale në cdo grup. Cilido grup që rrezikohet do t’a mobilizojë vetën me armët ideologjike dhe ushtarake që ka për t’a mbrojtur veten, totalitetin e kushteve që bëjnë të mundur imagjinarën e përbashkët.

Këtë e bën çdo popull që ka respekt për vetën e vet. Ideologjitë që përdoren për mobilizimin e masave janë instrumente që populli përdorë në luftën e tij kundër shfarosjes. Edhe komunizmi, edhe islamizmi, edhe fashizmi edhe nacionalizmi e bëjnë këtë. Përndryshe nuk do të ishin ideologji dominante.

Por, kur rreziku ekzistencial nuk është aty, ndërhyrja e nacionalizmit në rregullimin e jetës shoqërore dhe politike është i papranueshëm, ngase ai atëherë në vend që të tërhiqet dhe të lë shtetin dhe shoqëritë civile të mirren me organizimin e jetës sikur që ata e shohin të arsyeshëm, ndërhyrja e tij është dhunë.

Roli i tij është si roli i ushtrisë: pasi t’i sigurojë kufijtë ai duhet të kthehet në barakat e veta. Çdo ndërhyrje e tij në sferën publike si ushtri është dhunë. Por ushtarët si individë dhe pjestarë të shoqërisë civile dhe si qytetarë të shtetit ata kanë të njëjtat të drejta si çdo qytetarë tjetër.

Prandaj sa herë që partitë politike apo aktorë politik, apo edhe njerëz të rëndomët përdorin nacionalizmin për të fituar një argument në sferën publike është njëjtë sikur ndërhyrja fizike e ushtrisë në vendosjën e çështjeve dhe problemeve politike. Thjeshtë roli i tij nuk është aty.

Sa për ta ilustruar këtë që po e them, do ta marr në konsideratë rolin e nacionalizmit maqedon dhe atij shqiptar në Maqedoni. Maqedonia në vend që t’i përkushtohet krijimit të kushteve të barabarta të të gjithë qytetarëve që banojnë brenda territorit të saj, ajo bën pikërisht të kundertën. Nacionalizmi maqedon, pra nuk e ka kuptuar se roli i tij përfundon në momentin e krijimit të shtetit, dhe se tani ekzistojnë mënyra dhe procedura tjera të zgjidhjes së konflikteve. Por ajo që ka bërëMaqedonia, qysh prej formimit të shtetit, është ndërhyrja konstante e nacionalizmit maqedon në aferat publike të shtetit dhe shoqërisë civile.

Kjo ndërhyrje është provokim i pastër. Dhe e dini pse është provokim i pastër? Ngase Maqedonia nuk është një shtet vetëm i maqedonëve, por i të gjithë qytetarëve që jetojnë aty. Maqedonia, pa marrë parasysh parimin e identifikimit të shtetit me nacionalën, është shtet që i përketë sa maqedonëve aq edhe shqiptarëve, edhe serbëve, edhe romëve, edhe çdo kombësie tjetër që jeton aty. Kjo ngase ne jemi në gjendje të bëjmë një dallim qenësorë mes parimit të identifikimit të një shteti me kombetarën dhe shtetit si njësi administrative për organizimin e marrëdhënieveshoqërore në shoqëri, për krijimin e ligjit, dhe mirëmbajtjën e rendit shoqëror, dhe për ruajtjën e lirisë. Kjo e fundit, në traditën liberale së paku është qëllimi kryesor i shtetit. Një shtet që nuk ruan lirinë e qytatarëve të vet, ai humbet legjitimitetin e ekzistimit tëvet si shtet.

Identifikimi me kombëtarën është parim i shtetit nacionalist, por kushtet e pluralizmit e bëjnë këtë parim pothuajse të pamundur në tërësi. Ky parim prandaj duhet të kuptohet vetëm si parim administrativ shtetëror. Në një shtet të pluralizmit etnik, shteti ka nevojë të identifikohet me një apo dy gjuhë zyrtare, por arsyetimi i këtij identifikimi në kushte të pluralitetit mund të jetë vetëm pragmatik, jo ideologjik nacionalist.

Ngase maqedonët ende nuk po arrijnë t’a bëjnë këtë dallim të domosdoshëm të shtetit plural, por insistojnë në identifikimin ideologjik, prandaj rrjedhimisht edhe idiotik, të shtetit me kombëtarën maqedone, ai përherë krijon tensione të njëpasnjëshme mes shqiptarqve dhe maqedonëve. Tensione që shumë lehtë mund të evitohen, apo së paku intensiteti i tyre të ulet. Nuk ka asnjë kuptimë të insistohet që Maqedonia është e maqedonëve (si komb) kur shqiptarët janë po ashtu qytetarë të ketij shteti.

Është provokim që vetëm të vërbëruarit nga nacionalizmi mund t’a arsyetojnë. Nacionalizmi ka këtë tendencë ngase edhe siç e kam thënë në shumë shkrime, qëllimi i tij është të krijojë kombe sipas një historie të imagjinuar të përbashkët, eposëve, hero, gjuhës, etj. Dhe ky është parim që i bashkon të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër janë trashëgues, por edhe krijues të kësaj imagjinareje të përbashkët. Në këtë kuptim, kjo imagjinare nuk mund t’a inkuadrojë tjetrin që po ashtu ka një imagjinare po aq të zhvilluar dhe të gjallë për kombin e vet. Ai është i përjashtuar, tërësisht.

Ngase tjetri është i përjashtuar tërësisht nga imagjinarja kolektive e një populli si i huaj, e ndoshta edhe si armik, identifikimi i kombetarës me shtetin e qëështë parimi bazë i cdo nacionalizmi, është në kushte të heterogjenitetit dhe pluralizmit të popujve dhe racave të ndryshme, i rrezikshëm. Kjo po dëshmohet çdo ditë në Maqedoni. Aq largë ka shkuar shteti maqedon në diskriminimin e shqiptarëve në baza nacionale, sa që edhe kryeqitetin në të cilin jetojnë edhe shqiptarë, por edhe pjestarë të kombësive tjera e ka shndërruar në një kryeqytet ku reflektohet vetëm nacionalizmi maqedon. Kjo të bën të ndjehesh i huaj në vendin tënd, ngase aty nuk paraqitet kontributi dhe kultura yte. Kultura shqiptare ështëe përjashtuar, plotësisht.

Ky është provokim. Pasi që shteti identifikohet plotësisht vetëm me njërin nacionalizëm – identifikim që detyrimisht i bën shqiptarët qytetarë të dorës së dytë, tëhuaj në vendin e vet – ai edhe merr të drejtën në dëm të qytetarëve të vet, të cilëve edhe ashtu ua ka marrë mundësinë të shprehin kulturën kombëtare të vetën në menyrë që të regjistrohet në sferen publike shtetërore si e arritur e përbashkët, e jo të duket si anomali që duhet mbajtur nën kontroll.

është anomali, por ajo paraqitet si anomali vetëm ngase nacionalizmi maqedon është natyralizuar dhe identifikuar plotësisht me shtetin. Çdo nacionalizëm tjetër, në një shtet që identifikohetplotësisht me vetëm një imagjinare kombëtare dhe popullore, do të paraqitet si anomali. Prandaj anomalizimi i shqiptarëve nëMaqedoni bëhët pikërisht ngase shteti maqedon nuk ua njeh të drejtën e plotë si qytetarë.

Në mungesë të krijimit të një imagjinareje tjetër të peërbashkët, duhet të kërkohën mundësi përndarjën e nacionalizmit maqedon nga shteti. Dy nacionalizme nuk mund të ekzistojnë në një shtet, ngase secili nacionalizëm është mohim i tjetrit. Ekzistenca e tyre e përbashkët është e mundur vetëm kur shteti bëhet shtet i plotë laik: të gjitha kulturat marrin pjesëtë barabartë në të.

Ajo që desha të them që në fillim është, pra se nëse nacionalizmi nuk e kupton rolin e tij dhe detyrën për t’u tërhequr nga sfera politike tërësisht, sidomos në kushte të pluralizmit etnik dhe kulturor, ai do të jëtë  vetëm nxitës i tensioneve ndëretnike dhe mund që edhe t’i krijojë kushtet për shpartallimin e shtetit, në raste kur grupi tjetër është numërikisht i madh. Nacionalizmi në situata të caktuara mund të shfrytezohet si mbrojtës i kombit, por ai mund shpejt të shndërrohet edhe në instrument që e vë atë në rrezik.

Shteti modern është shtet nacionalist, por lidhja mes nacionalizmit dhe shtetit është lidhje kontingjentale, dhe jo e domosdoshme. Edhe shteti edhe nacionalizmi mund të ekzistojnë pa njëri tjetrin. Prandaj paraqitja e lidhjes si të domosdoshme është imponim nacionalist, jo nevojë konkrete e shtetit. Por, nuk është e drejtë që shteti të privilegjojë imagjinarën e një kombi, dhe t’a anashkalojë imagjinarën e kombeve tjera. Kjo ngase në këto kushte unë që i parkas një kombësie tjetër menjëherë diskriminohem!

Nacionalizmi shqiptar në Maqedoni është i kuptueshëm, ndonëse jo i arsyetueshëm. Mirëpo, nacionalizmi maqedon në Maqedoni nuk është as i kuptueshëm, e as i arsyetueshëm. Sikur që nacionalizmi në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, nuk është as i kuptueshëm, dhe as i arsyetueshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button