Cana përsërit: Nuk patëm urdhër për tu futur në fushë

Lorik Cana mohon të ketë marrë urdhër nga ndonjë zyrtar i UEFA-s dhe të mos i jetë bindur atij për të dalë në fushë. Ai është i zhgënjyer ashtu si miliona shqiptarë nga vendimi i UEFA-s dje, por sqaron se gjyqtari që ka shkruar në raportin e tij se kuqezinjtë refuzuan të vazhdojnë ndeshjen, nuk i ka bërë asnjë kërkesë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i Kombëtares inkurajon FSHF-në që të vazhdojë betejën ligjore, pasi sipas kapitenit, e drejta është në anën e Shqipërisë.

“I zhgënjyer dhe i pakënaqur. Nuk mund të jesh i kënaqur me një vendim të tillë. Përgjithësisht, nuk kam komentuar në jetën time sportive vendimet juridike, sepse respektoj pavarësinë e organeve, por ama ky nuk ishte një vendim i drejtë”, shprehet Cana për vendimin e Komisionit të Disiplinës.

Gjyqtari anglez ka shkruar në raport se Shqipëria refuzoi të vazhdojë ndeshjen… “Nuk është e vërtetë se refuzuam të luajmë ndeshjen. Unë për këtë kam folur vazhdimisht dhe i qëndroj asaj që kam thënë qysh në fillim. Nuk është se nuk kishim dëshirë të luanim, por e kishim të pamundur”.

Kaq shumë u dhunuat atë mbrëmje? “Po, shumë. Unë dje kam nisur stërvitjen me skuadrën. Pra, m’u deshën 10 ditë që të rikuperohesha nga ajo goditje që mora në gju që të mund të rikthehem në normalitet. Nuk ishte vetëm shok psikologjik, ishte edhe pamundësi fizike”.

“Gjatë kohës që ishim në tunel, gjyqtari dhe delegati po e diskutonin mes tyre mundësinë për të luajtur ndeshjen. Të jem i sinqertë, nuk më pëlqeu aspak kjo gjë, sepse nuk e kuptoja sesi po e çonin ndër mend të vazhdonte ndeshja pas asaj që na bënë. Por gjithsesi pritëm me qetësi veprimet e delegatit”, vijon Cana.

Çfarë bëri delegati? “Na pyeti me shumë korrektësi duke na thënë tekstualisht: ‘A jeni në gjendje të vazhdoni të luani? A e keni të mundur të luani?’ Unë ju përgjigja në emër të skuadrës se e kishim të pamundur të luanim, në aspektin fizik, por edhe psikologjik”.

Nuk morët asnjë urdhër? “Asnjë urdhër. Thjesht u pyetëm dhe kaq. Megjithatë, mjafton që të shikoni vendimin që është marrë se këtu ka një mori anomalish dhe gjërash që nuk shkojnë. Nuk është vetëm raporti i gjyqtarit”.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria tani? “Duhet të ndjekim rrugën ligjore. E drejta është në anën tonë. Duhet t’i shkojmë deri në fund dhe inkurajoj FSHF-në për gjithë përpjekjet”.

Lajme të ngjashme

Back to top button