Dëshmia e Tares nga Beogradi

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ishte në stadiumin e Partizanit në Beograd dhe ka mbetur i dëshpëruar nga ngjarjet që sollën ndërprerjen e takimit mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ishte prezent në stadiumin e Partizanit të Beogradit për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, në eliminatoret e Euro 2016.

Ballafaqimi u ndërpre pas 42 minutash lojë kur tifozët vendas hynë në fushë për t’i sulmuar futbollistët shqiptarë. Dhe, Tare mbeti i zhgënjyer nga epilogu përfundimtar i takimit.

“Me dëshpërim të thellë them se mbrëmë humbi futbolli. Kam shpresuar se gjithçka do të përfundojë në rregull, por nuk ishte kështu”, deklaroi Tare për mediat italiane, transmeton Lajmi.net

“Ishte një rast i madh për të dyja shtetet për të treguar se më 2014, futbolli mund edhe të bashkojë, jo vetëm të ndajë, dhe në fund nuk ia dolën”, shtoi ai.

“Sigurisht, jemi krenar nga origjina jonë, djelmoshat kanë nderuar fanellën dhe flamurin në fushë. Kam shpresuar se do të fitojë futbolli, por nuk ishte kështu edhe për faktin se stadiumin dhe qyteti nuk ishin të përshtatshëm për të qenë nikoqir i një ndeshje të tillë”, theksoi Tare, i cili insistoi se vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nuk e dirigjoi fluturaken që solli flamurin e Shqipërisë së Madhe në stadium.

“Jam shok me Olsin, nuk ka qenë ide e tij fluturakja, ai kishte vetëm një aparat për të bërë fotografi. Ne ishim së bashku në stadium”, përfundoi ish sulmuesi i Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button