UEFA nis hetime disiplinore, sanksione të rënda

Serbia dhe Shqipëria priten të përballen me sanksione të rënda nga UEFA, teksa institucioni më i lartë i futbollit europian ka hapur hetime mbi skenat e jashtëzakonshme, që ndodhën në fushën e lojës gjatë përballjes së vlefshme për kualifikueset e Euro 2016, mbrëmjen e së martës. 

Ndeshja në Beograd u braktis pas kaosit, për shkak të një minihelikopteri të telekomanduar, i cili shfaqi një flamur të Shqipërisë së Madhe në fushën e lojës, duke nxitur kështu një përleshje të madhe mes lojtarëve dhe dhjetra tifozëve.

Gjyqtari Martin Atkinson urdhëroi menjëherë lojtarët të dilnin nga fusha, pas incidentit, i cili ndodhi në fund të pjesës së parë (pas minutës së 41). Ata u drejtuan për në tunelin e dhomave të zhveshjes, por sërish u sulmuan me sende të forta, e megjithatë, pas rikthimit të rendit, lojtarët e Shqipërisë refuzuan të ktheheshin në fushë, duke mos lënë asnjë alternativë veç pezullimit të ndeshjes.

UEFA ka nisur hetimet disiplinore ndaj kësaj çështjeje, teksa Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, kritikoi gjithçka ka ndodhur.

“Futbolli supozohet t’i bashkojë njerëzit dhe loja jonë nuk duhet ngatërruar me politikat e çfarëdolloji. Skenat në Beograd, natën e kaluar, ishin të pafalshme”, thotë Platini, ndërkohë që shefi i FIFA-s, Sepp Blatter, shton edhe më tej dënimin. “Do të nisin hetime disiplinore për të dyja Federatat, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, thotë zëdhënësi i UEFA-s.

Serbia pritet të dënohet me të paktën 1 prej ndeshjeve të ardhshme me dyer të mbyllura, ndërsa Shqipëria mund të përballet me sanksione për pjesëmarrje dhe shkaktare e problemeve.

Mediat lokale në Beograd pretendojnë se minihelikopteri që mbante flamurin kontrollohej nga brenda stadiumit, nga vëllai i kryeministrit të Shqipërisë, Olsi Rama, i cili ndodhej në tribunën VIP. Ai u arrestua fillimisht, e ma pas u lirua. / Top Channel

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button