Myslimanët, popullata me rritje më të shpejtë në botë

Myslimanët në vitin 1970 përbënin 2.7 për qind të popullatës evropiane, ndërsa pritet që deri më 2020 të jenë dyfish më shumë, pra 5.9 për qind, që paraqet rritjen më të madhe e një grupi fetar në tokën evropiane në 40 vitet e fundit

Qendra Amerikane për Kërkim, në studimin “Krishterimi në kontekstin global, 1970-2020”, bën të ditur se fotografia e Evropës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme në katër dekadat e fundit, gjatë së cilave myslimanët janë bërë popullata me rritje më të shpejtë në kontinent, ndërsa përqindja e të krishterëve nuk ka ndryshuar dukshëm.

Në këtë raport jepen detaje për kontekstin e fetar dhe shoqëror në secilin nga 21 religjionet e botës, me ndryshimet që kanë ndodhur ose do të ndodhin në periudhën nga viti 1970 deri në vitin 2020. Vëmendje e veçantë i është dhënë Evropës, si rajon në të cilin gjatë dekadës së fundit kishte migrime të mëdha, luftëra dhe rënie të regjimit komunist.

Që nga viti 1970, në botë, në fushën e jetës fetare janë vërejtur ndryshime të rëndësishme. Një nga të dhënat më interesante është fakti se më 2010 bota kishte më shumë fetarë se më 1970 dhe se ky trend do të vazhdojë deri më 2020. Kështu, derisa më 1970, 82 për qind e njerëzve janë deklaruar fetarë, më 2010 ky numër u rrit në 88 për qind, ndërsa më 2020 pritet të arrijë në 90 për qind.

“Viti 1970 në botë ishte shënuar me rritjen e agnostikëve dhe ateistëve, që atëherë ishin 19.2 për qind, dhe kësaj i ka kontribuar rritja e sekularizmit, sidomos në Evropë, si dhe komunizmi në Evropë e Kinë. Por, pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik më 1991, një numër i madh i jobesimtarëve i kthehet besimit”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se dy fe botërore, krishterimi dhe islami, dominojnë në demografinë fetare, ndërsa theksohet se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Për shkak të shkallës së lartë të lindjes së myslimanëve në të kaluarën, një numër i madh i të rinjve myslimanë tani janë në moshën të krijojnë familje, gjë që ndikon në rritjen demografike të pjesëtarëve të kësaj feje. Midis të krishterëve kjo shkallë është e ndryshme: shënon rënie në Evropë, ndërsa rritje në Afrikë”.

Për shembull, në Evropë, në vitin 1970 ishin 655 milionë të krishterë, që përbënin 75 për qind të popullsisë, ndërsa kjo përqindje më 1910 ishte 94.5. Po ashtu, në Evropë më 2010 ishin 78.6 për qind e të krishterëve, ndërsa pritet që më 2020 ata do të jenë 744 milionë ose 78 për qind. Prandaj, numri i të krishterëve në 40 vitet e kaluara nuk ka ndryshuar dukshëm.

Nga ana tjetër, myslimanët në vitin 1970 përbënin 2.7 për qind të popullatës evropiane, ndërsa pritet që deri më 2020 të jenë dyfish më shumë, pra 5.9 për qind, kryesisht për shkak të migrimit të rritur dhe një normë të lartë të shtimit natyror në raport me pjesëtarët e feve të tjera. Kjo është edhe rritja më e madhe e një grupi fetar në tokën evropiane në 40 vitet e fundit.

Sipas këtij studimi, numri i ateistëve në Evropë nga 8.2 për qind më 1970 do të bie 2.1 për qind në vitin 2020, që është një nga rëniet më të mëdha në numrin e anëtarëve të një grupi demografik gjatë dekadave të mëparshme. Gjithashtu, numri i agnostikëve do të mbetet në 13.1 për qind, si gjatë vitit 1970, transmeton Telegrafi.

Në nivel global, në vitin 1970 bota kishte 1.288 miliardë të krishterë, që është 33.2 për qind e popullatës botërore, ndërsa më 2010 ky numër u rrit në 2.262 miliardë, ose 32.8 për qind. Më 2020 pritet të jenë 2.550 miliardë apo 33.3 për qind e popullsisë së përgjithshme botërore.

Sipas të njëjtit hulumtim, në vitin 1970 në botë ishin rreth 577 milionë myslimanë, apo 15.6 për qind e popullatës botërore, derisa më 2010 ky numër arriti në 1.552 miliardë apo 22.5 për qind. Në vitin 2020 pritet që numri i myslimanëve të rritet në 1.827 miliardë, apo 23.9 për qind e popullatës botërore, që është edhe rritja më e madhe e madhe e numrit të popullsisë së këtij besimi.

Në nivel global, numri i agnostikëve nga 14.7 për qind në vitin 1970 do të bie në 8.9 për qind në vitin 2020, derisa budistët do të shënojnë rritje nga 6.4 për qind më 1970 në 7.1 për qind më 2020. Ateistët në vitin 1970 kanë kapur shifrën 165 milionë, ose 4.5 për qind të popullsisë së botës; më 2010 ishin rreth 136.5 milionë apo 2 për qind; derisa më 2020 do të jenë 136.6 milionë apo 1.8 për qind të popullsisë së përgjithshme botërore.

Sipas këtij studimi, ateistët, në raport me grupet e tjera fetare dhe sociale, kanë shënuar rënien më të madhe globale në 40 vitet të fundit. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button