Çdo 22 minuta një lindje në Shqipëri, dikur çdo 6 minuta

Largimet po ulin numrin e njerëzve në moshë pune brenda vendit. Gratë po lindin gjithnjë e më pak fëmijë, dhe këtë vendosin ta bëjnë kur kanë kaluar 27 vite jetë ose më shumë.

Nëse në fund të viteve 80’ në Shqipëri vinin në jetë 225 bebe në ditë, në fillim të viteve 2020, kanë ardhur në jetë 64 bebe në ditë. Pra, nëse në vitin 1990, lindte një foshnjë çdo 6 minuta, në vitin 2022, një krijesë e re ka hapur sytë çdo 22.5 minuta.

“Në vitet e fundit çfarë vëmë re është një ndryshim sa i takon edhe faktorëve shtytës, ku gjithnjë e më tepër shohim rritjen nga faktorët ekonomikë te faktorët socialë, te siguria, e ardhmja; të ndërtimit të së ardhmes për fëmijët. Për shembull, shohim familje të cilat kanë qenë të mirëstabilizuara në Shqipëri, të cilat largohen në vende destinacion që janë më premtuese për perspektivën e tyre, veçanërisht të fëmijëve”, tha Elona Dhëmbo, studiuese e çështjeve të migrimit, në emisionin Money në Euroneës Albania.

Llogaritjet tregojnë përmasat e zvogëlimit demografik në gjithë territorin e vendit, në një etapë kohore 35-vjeçare me zhvillime të vrullshme, të ndikuara nga niveli i lartë i emigracionit dhe më pas nga stili i ri i jetesës, me lindshmëri më të ulët e familje më të vogla.

“Po ikin kryesisht të rinjtë, po ikin kryesisht intelektualët. Po ikin kryesisht shtresa e mesme e popullsisë. Pra, sot nuk ikin më ata që kanë një vend pune në Shqipëri. Ata mund të kenë vende pune shumë të mira, megjithatë vendosin që të ikin”, u shpreh Klodian Muço, pedagog i Ekonomisë.

Emigrimi i shqiptarëve dhe ndikimet që sjellin në ekonomi largimet masive, ishte temë e emisionit ‘Money’ në Euronws Albania këtë javë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button