Ahmeti – Nishani, diskutojnë lidhjet infrastrukturore midis Shkupit dhe Tiranës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u prit në Tiranë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Presidenti Nishani dhe Kryetari Ahmeti diskutuan hollësisht për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike midis Shkupit dhe Tiranës, integrimin EuroAtlantik, çështjen e emrit dhe u dakorduan që të vazhdojnë komunikimin e afërt në të mirën e përbashkët.

Shqipëria është mbështetëse e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kjo mbështetje realizohet në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare.

Kryetari Ahmeti njoftoi Presidentin Nishani për zhvillimet politike në Maqedoni me theks të veçantë në nevojën për ta tejkaluar çështjen e emrit që po na mban larg Bashkimit Evropian dhe NATO-së.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u prit në takim edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Në takim u fol për gjendjen politike në Maqedoni dhe në Shqipëri, marrëdhëniet ndërpartiake, bashkëpunimin bilateral, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik.

Ahmeti dhe Basha shkëmbyen përvojat dhe qëndrimet mbi pikat e mësipërme duke u dakorduar mbi rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, zhvillimin e shëndosh të marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe nevojën e ndërtimit të infrastrukturës midis Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Ahmeti elaboroi rëndësinë e integrimit euroatlantik të Maqedonisë si proces që mundëson paqe dhe stabilitet, por edhe marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe zhvillim ekonomik.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button