Serbët nuk lejojnë tifozët kosovarë, Presheva gati 500 tifozë kuqezi në Beograd

Federata e Futbollit të Serbisë nuk lejon tifozët e Kombëtares që janë nga Kosova dhe Maqedonia që t’i ngjiten ekipit përfaqësues për ta mbështetur në ndeshjen e 14 tetorit që kuqezinjtë do të luajnë ndaj serbëve në Beograd.

Është një takim i rëndësishëm që po shfrytëzohet nga serbët për të bërë politikë teksa zyrtarët kryesorë të saj konfirmuan dje se nuk do të lejohet të hyjë në territorin serb asnjë tifoz i Shqipërisë që nuk ka pasaportën e këtij vendi, e thënë ndryshe asnjë tifoz kuqezi nga Kosova dhe Maqedonia.Por duket se për të gjetur një mënyrë që Kombëtarja të mos ndihet vetëm në Beograd, kanë menduar tifozët kuqezi nga Presheva, të cilët kanë kërkuar 500 bileta. Një zgjidhje e tillë duket ideale, pasi ata janë me pasaportë të Serbisë dhe nuk përbëjnë problem, e ndoshta kjo është alternativa më e mirë e momentit.

Gjithsesi, federata serbe këmbëngul që homologia e saj shqiptare t’i sjellë deri të premten listën e emrave të tifozëve, së bashku me numrin e pasaportës së tyre, gjë që është hedhur poshtë me përbuzje nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga presidenti i saj Armand Duka.

Situata

Grupit të tifozëve shqiptarë që do ta përkrahin Shqipërinë në ndeshjen ndaj Serbisë i janë bashkuar edhe shqiptarët nga Presheva. Ndeshjen e 14 nëntorit në Beograd pritet ta përkrahin rreth 500 shqiptarë nga Presheva. Dy ditë pas hedhjes në treg të biletave, 500 bileta janë shitur, por që numri i tyre mund të rritet. Biletat për këtë ndeshje janë sjellë nga Beogradi dhe tregtarët serbë kanë thënë se numri i shitjes së tyre mund të rritet nëse ka kërkesa. Grupi i tifozëve frikësohet se për shkak të masivitetit mund të pengohen në kufi, por që për këtë shpreson se do të ketë përkrahjen e Federatës Shqiptare.

Qëndrimi/ Serbët vendosin: Asnjë tifoz kosovar në Beograd

Kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiç, ka deklaruar se janë duke i bërë përgatitjet e fundit para duelit të 14 tetorit kundër Shqipërisë. Ai ka këmbëngulur se në stadium do të hyjnë vetëm tifozët që kanë bileta dhe pasaporta të Shqipërisë, duke përjashtuar kështu mundësinë që në këtë ndeshje të marrin pjesë edhe tifozë nga Kosova. “Në ndeshjen me Shqipërinë do të jetë i pranishëm secili prej tifozëve që ka biletë, ndërsa sa i përket çështjes së tifozëve kosovarë, në propozicionet e UEFA-s shkruan se në ndeshje mund të jenë vetëm shtetasit me të cilët do të luajmë, në këtë rast në këtë ndeshje mund të jenë të pranishëm vetëm tifozët që kanë pasaportë të Shqipërisë”, tha Karaxhiç për gazetën sportive “Sport Plus”. Ai po ashtu tha se, pas fitores kundër Portugalisë kemi respekt për Shqipërinë dhe se do ta presin si një kombëtare të fuqishme dhe të respektueshme. Serbia dhe Shqipëria do të takohen me 14 tetor në Beograd në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016 që do të mbahet në Francë./Sotnews/

Lajme të ngjashme

Back to top button