Taulant Xhaka: Serbisë do ti mësojmë futbollin

Ndeshja historike ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë po afrohet. Gjashtë ditë na ndajnë nga data që po e presin të gjithë shqiptarët.

Sytë e të gjithëve tashmë janë drejtuar nga futbollistët e Kombëtares shqiptare. Njëri ndër ta është edhe Taulant Xhaka, i cili, me paraqitjet e shkëlqyera në ndeshjet e fundit, për ekipin e tij, Bazel, llogaritet si njëri nga lojtarët e rëndësishëm të kuqezinjve.

 Në një intervistë për “Sport Plus”, futbollisti me prejardhje nga Podujeva ka thënë se do të japin maksimumin në dy ndeshjet kualifikuese, që t’i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Sipas tij, Shqipëria është Kombëtare që mund të mposhtë secilin shtet dhe një gjë të tillë do ta kërkojë edhe kundër Danimarkës dhe Serbisë.
“Pasi kemi mposhtur Portugalinë, kemi fituar një besim më të madh dhe jemi në gjendje të mposhtim secilin shtet në botë. Futbolli është shumë interesant dhe në shumë raste edhe ekipet e vogla fitojnë kundër ekipeve të mëdha. Besoj se do të japim maksimumin për një rezultat pozitiv në të dy ndeshjet e ardhshme”, është shprehur Xhaka.
Ai ka konfirmuar formën e mirë që po kalon me skuadrën e tij.
“Jam në formë të mirë dhe të gjithë mund të presin një paraqitje shumë të mirë nga unë. Formën time e kam treguar edhe në ndeshje kundër Portugalisë dhe shpresoj që të jap ndihmën time dhe ta ngjisim sa më lart Shqipërinë”, tha Xhaka.
Shqipëria më 11 tetor do ta luajë ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Danimarkës në stadiumin “Elbasan Arena”, kurse tri ditë më vonë, në Beograd do të luajë ndaj Serbisë. Për futbollistin e Bazelit, fitorja në ndeshjen kundër Danimarkës do të ishte vendimtare dhe, sipas tij, kundër serbëve të shkonin kryelartë, për t’iu treguar se si luhet futbolli.
“Ndeshja me Danimarkën ka për të qenë shumë më rëndësi. Me një fitore të mundshme kundër Danimarkës do të arrinim gjashtë pikë dhe do të shkonim kryelartë në ndeshjen me Serbinë. Do t’ju tregojmë se si luftohet, se si luhet futbolli dhe ta dinë se kë kanë kundër serbët. Ishalla ia arrijmë t’i gëzojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë”, theksoi futbollisti 23-vjeçar.
Ai u bën thirrje shokëve që të mos bien pre e provokimeve që do t’u bëhen në kryeqytetin e serbëve. “Duhet të jemi të qetë, të tregojmë karakter të fortë dhe po ashtu të tregojmë që kjo nuk është politikë, por është vetëm sport. Nëse ne jemi të qetë, nuk biem pre e provokimeve dhe e japim maksimumin, atëherë fitorja besoj që do të jetë e Shqipërisë dhe e tifozëve, të cilët nuk e di a do të mund të jenë në stadium, por fitorja do të jetë për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, pohoi Xhaka./aSport

Lajme të ngjashme

Back to top button