Zbulohet portreti më i vjetër i Skënderbeut në doreshkrimin e 1465

Një nga argumentet më të debatuara në shkencën albanologjike ka qenë i lidhur me autenticitetin e portretit të Skënderbeut.

Pranimi apo mos pranimi i vërtetësisë ishte i lidhur me faktin se pikënisja e ikonografisë kastriotiane dokumentohej gati gjysmë shekulli pas vdekjes së tij e për më tepër në artin grafik. Pra kopje e ndonjë portreti më të hershëm e të panjohur, që mund të hamendësohej por jo të provohej.

Kështu debati pro (O. Paskali, Dh. Dhamo, K. Frashëri, K. Biçoku, F. Hudhri etj.) e kundra (At Vinçenc Malaj) edhe pse në distancë zhvillohej kryekëput mbi konsiderata subjektive.

Portreti më i parë e më i njohur në Shqipëri u duk për herë të parë në vepra e të vetëquajturit Marin Barleti (ndryshe Beçikemi) Historia de Vita et Gestis Scanderbegi.. (maj 1522), që për një sërë shkaqesh të karakterit social, politik e ideologjik mbarte e transmetonte në vetvete një sërë enigmash të cilat me qëllim apo pa qëllim janë fshehur ose vazhdojnë të fshihen akoma bile edhe të mohohen.

Sidoqoftë portreti i botuar në veprën e parë e më të suksesshme biografike merrte edhe karakterin e portretit zyrtar dhe shërbeu në shekullin e XVI si gjenerues i ikonografisë kastriotiane. Ishte shekulli kur kërkesat për portretin e vërtetë e për burime sa më të sakta pretendoheshin jo vetëm nga humanistët e shquar të kohës por edhe nga publiku i gjerë i lexuesve.

Në këtë atmosferë të zhvillimeve humanistike heshtjen e Marin Beçikemit për portretin e Skënderbeut nxitojnë ta plotësojnë për interesat e tyre nipërit e Pal Ëngjëllit.

Në të ashtuquajturën vepra e tretë e Marin Barleti pra “Shkurtoria mbi jetën e papëve…” (Compendium vitarum summorum pontificum…) e cila u botua më 1555 në Romë kemi një referim të qartë për portretin e ksilografuar në veprën Historia e Skënderbeut. Sipas letrës të Barleti që ja dërgonte valla Pietër Ëngjëllit lexohet : Nuk jam lajkatar (për Herkulin), por do të lavdëroj Zotin shpirtgjerë që të ruajti ty, shëmbëlltyrën(simulachrum) dhe imazhin e shumë të madhit Skënderbe dhe të vëllait tënd, kryepeshkopit Pal e së fundi të shumë merituarit kardinalit Ëngjëll. (Mbi karakterin apokrif të veprës e kohën e hartimit të saj shih: I. Karanxha: Barleti apo Beçikemi…2010, ff. 175-176, 241-247). (Gazeta Shqiptare)

Lajme të ngjashme

Back to top button