Komisioni për dygjuhësinë u prononcua: Trajanovski të respektojë shqipen në Shkup

Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski duhet të respektojë gjuhën shqipe, përkatësisht Kushtetutën dhe ligjin. Kështu shprehet Naser Ziberi, njëri nga anëtarët shqiptar të Komisionit, i formuar para 7 muajve me qëllim shqyrtimin e dygjuhësisë në nivel të kryeqytetit.

Sipas Ziberit çdo anashkalim i shqipes që po ndodh ditëve të fundit është shkelje e rëndë e dispozitave ligjore që rregullojnë këtë materie.

“Jo që jemi të njëzëri, po ne mendojmë se ashtu flet ligji pasi kjo çështje është e pastër dhe duhet qyteti i Shkupit dhe administrata e tij të respektojë dygjuhësinë edhe atë duke u mbështetur në dy akte ligjore që janë konstrukt i problematikës, në ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ligji për qytetin e Shkupit. Çdo shmangie e shqipes që po ndodh kohëve të fundit është shkelje e rëndë e dispozitave të ligjeve që rregullojnë këtë materie”, deklaroi Naser Ziberi, citon Alsat-M.

Anëtari tjetër shqiptar i Komisionit, Rami Qerimi thotë se ata janë të gatshëm të takohen për çdo ditë me qëllim tejkalimin e shmangies së shqipes në kryeqytet, por që caktimi i mbledhjeve të komisionit nuk është në duar të tyre.

“Neve nuk mund të iniciojmë mbledhje pasi formalisht gjatë takimit të parë që kemi pasur është përcaktuar që administrata e qytetit të Shkupit duhet të jetë ajo e cila do të thirë mbledhjet, do të na furnizojë me materiale dhe do të përcaktojë takimin d.m.th ne nuk kemi asnjë kompetencë që të thërrasim mbledhje si anëtarë të komisionit që jemi”, tha Rami Qerimi.

“Fatkeqësisht ne aty jemi në minorancë, jemi vetëm 2 anëtarë dhe 6 të tjerë të cilët janë të caktuar nga shërbimi profesional i qytetit të shkupit, përgjegjësi për urbanizëm e kështu me radhë dhe anëtarë të tjerë të cilët i ka caktuar kryetari Trajanovski. Ne nuk mund të imponojmë mbledhje të komisionit, e dyta grupi ka kryesues dhe ai i konvokon dhe informon anëtarët e komisionit për mbledhjet dhe rendin e ditës”, deklaroi Naser Ziberi, anëtar i Komisionit.

Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, personi juridik që nuk respekton ligjin për gjuhët, mund të ndiqet penalisht për shkelje të ligjit për përdorim të gjuhëve dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg, bazuar në nenin 138 të Kodit Penal.

Lajme të ngjashme

Back to top button