Agolli: Nani më ofendoi gjithë ndeshjes

Tifozëve shqiptarë, që kanë ndjekur me vëmendje nga televizori ndeshjen kundër Portugalisë, zor se u ka shpëtuar dueli i Ansi Agollit me kapitenin e Portugalisë, Luis Nani.

Përveç fitores historike që arritën kuqezinjtë, në rrjetet sociale nuk ka mbetur pa u komentuar as konflikti që patën në fushë Agolli dhe Nani. Mbrojtësi i Kombëtares, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, tregon për gjithçka ndodhi, transmeton Tribuna.

Dyluftimi me Nanin gjatë ndeshjes pati një impakt të madh te tifozët, veçanërisht në momentin kur kamera u fokusoi dhe ju shfrynit në gjuhën shqipe kundër portugezit…
-(qesh). Impaktin e madh që ka pasur ai duel personalisht e kam konfirmuar vetëm një orë pas ndeshjes. Sapo u futa në “Facebook”, me qindra mesazhe kishin ardhur në adresën time, ku, veç urimeve, më së shumti tifozët dhe miqtë e mi, ishin të kënaqur për përgjigjen që i kisha dhënë kapitenit portugez në atë moment.

Pse çfarë ju thoshin tifozët?
-Më thoshin që mirë ja ke bërë Nanit, e meritonte (qesh).

U duk qartë që ju e ofenduat, pse reaguat në atë mënyrë?
-Kur je në fushë dhe për më tepër në një ndeshje të zjarrtë si ajo ndaj Portugalisë, më besoni që çfarë nuk të nxjerrë shpirti. Gjithsesi, sinqerisht po ju tregoj se nuk kam pasur asnjë faj. Nani ma ka bërë borxh gjatë gjithë lojës, prandaj edhe unë reagova në atë mënyrë, që të gjithë e ndoqën në televizor.

Për çfarë jua bëri borxh Nani që ju irritoi aq shumë?
-Sa herë patëm kontakt, vetëm më ofendonte në gjuhën angleze.

Si e shpjegoni?
-Kjo erdhi si pasojë e nervozizmit të tij, sepse nuk po i ecte loja kundër nesh. Gjatë pjesës së parë, teksa topi po dilte në fundore, patëm një duel fizik dhe unë aty i fola i pari.

Çfarë i thatë?
-I kërkova falje për ndërhyrjen, ndërsa ai ma ktheu në këtë mënyrë: “ta rregulloj unë ty!”. Ky ishte edhe momenti që unë nuk e durova. Edhe pse i kërkova ndjesë, ai m’u përgjigj me arrogancë, madje me tone kërcënuese. Në fakt, gjatë fillimit të lojës, dyluftimet me të kanë qenë normale, por pas minutës së 30-të, si duket Nani filloi të ndiente presionin. Rezultati nuk ishte në favor të Portugalisë dhe ai, si kapiten që ishte, e ndiente më shumë se të tjerët presionin e fitores me çdo kusht. Gjithsesi, përtej asaj që ndodhi në fushë, mendoj se dueli me të ishte shumë emocionues. Në fund i fituari dola unë dhe sigurisht Shqipëria.

Pas ndeshjes a i kërkuat ta ndërronit fanellën?
-Jo, unë nuk e bëra, por di të them se asnjë nga lojtarët e Portugalisë nuk pranoi t’i ndërronte fanellat pas ndeshjes.

Përse?
-Thjesht nuk donin, u kishte ikur truri prej rezultatit.

Çfarë menduat në minutat e fundit, kur gjyqtari nuk po e mbyllte ndeshjen?
-Natyrisht që kishim ankth të gjithë. Unë për vete shikoja orën elektronike të stadiumit në çdo rast që topi ishte larg zonës.

E kishit menduar ndonjëherë se mund të fitonit ndaj një ekipi si Portugalia në transfertë…
-T’ju them të drejtën, ne do të ishim të kënaqur edhe me një barazim. Megjithatë, kjo ishte një fitore historike, sepse nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Kombëtarja të merrte tri pikë në transfertë ndaj një skuadre “big”. Gjithsesi, tani duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk duhet të fluturojmë. Kemi fituar më shumë pjekuri dhe duhet t’i bëjmë hyzmetin ndeshjes me Danimarkën. Pra, të guxojmë sërish për fitore.

Ju keni qenë në fushë për 90 minuta edhe në barazimin 0-0 me Portugalinë në vitin 2008. Kush ka qenë më emocionuese, ajo ndeshje apo kjo e së dielës, ku dhe fituam?
-Të dyja kanë qenë shumë emocionuese, por kjo ishte fitore dhe të shijon më shumë. Ishte ndeshja e parë e edicionit dhe e nisëm me tri pikë të arta.

Prej 8 vitesh jeni pjesë e Kombëtares dhe titullar konstant i saj. Është ky kulmi i karrierës për ju?
-Në Kombëtare nuk duhet ta humbasësh kurrë shansin. Ndoshta kjo ka bërë që unë të jem stabël. Ndeshjet me fanellën kuqezi i luaj të gjitha si finale, sepse Kombëtarja nuk është si klubet. /Panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button