Blerim Bexheti: Maqedonia angazhohet në luftimin e krimit të organizuar

Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti merr pjesë në konferencën e Iniciativës Rajonale për Antikorrupsion (IRA), punimet e së cilës po zhvillohen sot në Zagreb.

“Maqedonia ka qenë, është dhe do të jetë çdoherë e angazhuar për një bashkëpunim më të madh rajonal në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto dukuri tejkalojnë kufijtë e shteteve tona dhe fitojnë shpeshherë dimensione rajonale. Është i nevojshëm bashkërendimi në mes shteteve të rajonit për t’i dhënë një goditje të fortë korrupsionit dhe krimit të organizuar në Evropën Juglindore” ka thënë ministri, njoftojnë nga kabineti i tij.

Duke folur për rëndësinë e nismës IRA, Bexheti ështës shprehur se në Maqedoni, ajo është e pranishme përmes katër fushave të veprimit: shkollat verore për profesionistët e rinj të gjyqësorit, korniza rajonale anti-korrupsion dhe rrjeti i ekspertëve për integritetin, krijimi i rrjetit rajonal për trajnime gjyqësore dhe, e fundit dhe më e rëndësishmja, fusha e konfiskimit të pronës dhe e përfitimit pronësor.

“Në Republikën e Maqedonisë funksionon Agjencia për Udhëheqjen e Pronës së Konfiskuar dhe e njëjta është e hapur për bashkëpunim me të gjitha agjencitë e ngjashme nga rajoni”, ka deklaruar Bexheti.

Ai ka riafirmuar përkushtimin e vendit në luftën anti-korrupsion, përmes një qasje gjithëpërfshirëse rajonale, dhe për këtë ka ofruar si “dëshmi” dhe respektimin e plotë të obligimeve financiare ndaj IRA-s.

Gjatë konferencës u nënshkruar dhe një protokoll, si një nga mekanizmat kryesorë për promovimin e aspektit rajonal të luftës anti-korrupsion.

Lajme të ngjashme

Back to top button