Vritet në atentatin e dytë, pasi i mbijetoi të parit: Ja pamjet e shpërthimit (Video)

Televizioni “A1 Report” ka siguruar video ekskluzive të shpërthimit të automjetit në Vlorë, ku mbeti i vrarë Isuf Brahimaj dhe u plagos 19-vjeçarja, Ornela Gjini. Lëndime të lehta ka marrë edhe një kalimtar i rastit.

Në pamjet dallohet momenti i shpërthimit, si dhe 19-vjeçarja e plagosur që hidhet nga makina që ishte në flakë.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 07:15 të ditës së sotme në lagjen “28 Nëntor”.

Shpërthimi i automjetit tip “Mitsubishi” me targë AA 848 JX ka qenë i telekomanduar. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje thuhet se ka pasur tre shpërthime gjatë momentit që ka qenë në ecje.

Brahimaj i ka shpëtuar një atentati një vit më parë. Gjithashtu edhe i vëllai i tij, Ermal Bajramaj, i njohur ndryshe si Bashkim Brahimi i ka shpëtuar më 31 gusht të 2013-s një atentati që ka ndodhur në po të njëjtin vend.

Për atentatin e vitit 2013, policia ka vënë para akuzës vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, i cili nuk ka bërë të ditur emrat e porositësve të vrasësve.

19-vjeçarja Gjini ka pësuar djegie të shkallës së tretë dhe është sjellë në QSUT në Tiranë në repartin e djegieve për një mjekim më të specializuar.

Sipas mjekëve të QSUT-së, 19-vjeçarja Gjini është në gjendje të rëndë për jetën. Ajo ka mbërritur në Tiranë me djegie të thella në të dyja këmbët por edhe në fytyrë dhe në shpatullën e djathtë. /A1 Report/

Lajme të ngjashme

Back to top button