Dhuna në Parlament të Maqedonisë, Tirana e paralajmëroi

Tirana zyrtare kohë më parë paralajmëroi situatën konfliktuoze dhe të inateve agresive midis partive shqiptare në Maqedoni.

Dhe pikërisht kjo ndodhi me përleshjen e ashpër me grushte midis deputetëve shqiptarë të PDSH-së dhe BDI-së, në seancën e dy ditëve më parë në Parlament.

Çfarë përmbant raporti alarmues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ?

Situata e përçarjeve dhe ndarjeve të subjekteve shqiptare rreth çështjeve që kanë të bëjnë me interesin dhe kauzën shqiptare ishin përfshirë në raportin e Ministrisë së Punëve të jashtme të Shqipërisë, që disa muaj më parë ishte debatuar në Komisionin për Politikë të jashtme në Parlamentin e Shqipërisë, informon INA.

Ashtu siç është paraparë, partitë edhe në këto zgjedhje po hyjnë të përçara dhe ndara, pa asnjë koalicionim apo front të përbërë nga parti dhe shoqëria civile.

Se partitë shqiptare në Maqedoni nuk bashkëpunojnë dhe raportet e tyre nuk janë si më pare, nënvizohet edhe në procesverbalin e mbledhjes së fundit me dyer të mbyllura të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë.

Shqetësimet janë paraqitur nga drejtoresha e politikës rajonale pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Shpresa Kureta.

“Raportet mes shqiptarëve të Maqedonisë sipas Ministrisë së Jashtme nuk janë më si më parë. Shqiptarët nuk bashkëpunojnë më me njëri-tjetrin”, thekson drejtoresha e Politikës Rajonale në MPJ.

Sipas saj, për fat të keq, shqiptarët në Maqedoni, pavarësisht ndryshimeve dhe avancimeve për sa i takon Marrëveshjes së Ohrit, jetojnë pa njëri-tjetrin dhe nuk bashkëpunojnë shumë me njëri-tjetrin.

Situata e njëjtë e urrejtjes dhe mosbashkëpunimit rrëfehet edhe nga deputetë dhe zyrtarë shqiptarë në Tiranë.

“Ka një inat të shfaqur në mënyrë agresive edhe në takimet që bëjnë me ne dhe ku është një nga elementët që nuk është në favorin e tyre, nuk diskutohet”, ka theksuar deputetja shqiptare Arta Dade në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Shqiptar.

Një zyrtar i Qeverisë shqiptare i tha agjencisë së lajmeve INA se kjo situatë është shqetësuese, sepse kemi një thellim të ndarjeve midis partive shqiptare.

“Jemi duke ndjekur një fushatë me një lum akuzash ndaj njëra tjetrës dhe fitohet përshtypja se tërë ky inskenim vjen nga qarqe të caktuara që nuk i`a duan të mirën shqiptarëve. Shqetësimi ynë është se përçarja e thellë po defaktorizon shqiptarët. Ne apelojmë për qetësi dhe harmonizim qëndrimesh për çështje me interes të rëndësishëm dhe se ky mesazh është dhënë edhe nga kryeministri Rama gjatë vizitës së fundit në Shkup”, theksoi zyrtari i qeverisë shqiptare. (INA)

Lajme të ngjashme

Back to top button