Rama, zëri i Ballkanit

Gjermania ka ritheksuar se kryeministri Edi Rama do të përfaqësojë Ballkanin krah kancelares Angela Merkel në Konferencën e Vendeve të rajonit më 28 gusht në Berlin. Roli si faktor qëndrueshmërie në Ballkan mjafton që Gjermania të ritheksojë se Shqipëria do të flasë në emër të vendeve ballkanike në Konferencën e Berlinit më 28 gusht.

Arsyetimin e kanë dhënë nënkryetari i Bundestagut, Johanes Zinghamer (Johannes Singhammer) dhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Helmut Hofman. Zyrtarët gjermanë kanë folur në ceremoninë e 30-vjetorit të vizitës në Shqipërinë diktatoriale komuniste, të kryeministrit të Landit të Bavarisë, Franc-Jozef Shtraus. “Me kënaqësi të madhe konstatojmë se Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon. Rëndësia e Shqipërisë në kuadrin e Konferencës së Vendeve të Ballkanit Perëndimor që do mbahet javën e ardhshme në Berlin, është gjithnjë në rritje.

Duhet të ndodhë kështu. Shqipëria është shembull për t’u ndjekur për bashkëjetesën fetare dhe për këtë mund të jetë krenare”, ka thënë nënkryetari i Bundestagut, Zinghamer. Ambasadori Hofman i është drejtuar kryeministrit Edi Rama si një mesazh për vendet ballkanike të pakënaqura nga zgjedhja e kancelares Angela Merkel: “Shqipëria jep ndihmesë të rëndësishme për stabilitetin.

Zoti Kryeministër gjatë konferencës ju nuk do të jeni thjesht përfaqësues i Shqipërisë, por i forumit me vendet e Evropës Jugperëndimore”. Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kanë thënë se nëse do të kuptohej mesazhi i vizitës së ish-kryeministrit bavareze, Franc-Jozef Shtarus, Shqipëria do të ishte me kohë në Evropë. Vendimi që Rama të flas në emër të Ballkanit ka nxitur reagimin jo vetëm të Serbisë por edhe të Kroacisë e Sllovenisë.

Por reagimet e tyre nuk e kanë lëkundur Berlinin që në variantin përfundimtar të formatit të konferencës së shtypit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë me parë ka konfirmuar se do të jetë ai që do të shkojë në Berlin. “Kosova do të përfaqësohet prej kryeministrit të Kosovës dhe ftesa është drejtuar prej kancelares Merkel.

Kjo do të jetë një konferencë e rëndësishme që organizohet për Ballkanin Perëndimor nga Gjermania dhe paraqet edhe një vazhdimësi në rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin”, ka thënë Thaçi. Në këtë takim, sipas tij, do të jenë edhe kryeministrat e të gjithë rajonit. “Ndaj është një mundësi e komunikimit ndërkryeministror, por edhe për komunikim të drejtpërdrejtë që është shumë e rëndësishme”, ka shtuar ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button