Shkëndija gati për Vardarin

Xhiroja e dytë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë sjell derbi të madh të futbollit të Maqedonisë, pasi Shkëndija do të jetë mysafire e Vardarit në Shkup. Sipas atmosferës së krijuar dhe mendimit të mediave dhe njohësve të mirë të futbollit, kjo do të jetë përplasja e dytë aspirantëve më të mëdhenj për titullin e kampionit në sezonin e ri. Të dyja ekipet startuan me fitore javën e shkuar. Shkëndija mundi 2:1 Bregallnicën, ndërsa Vardari triumfoi 0:1 në Manastir përballë Pelisterit. Tani përplasja direkte do të tregojë se cila skuadër është më e përgatitur në këtë moment dhe Shkëndija maksimalisht e gatshme pret këtë përplasje. Stafi teknik me futbollistët gjatë gjithë javës janë përgatitur për përballjen me Vardarin, por pa ndonjë eufori të madhe rreth emrit të rivalit. Kjo ndeshjes shihet si gjithë takimet tjera, fitorja në këtë duel vlen gjithashtu tre pikë dhe ‘kuqezinjtë’ janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për të dalë nga kjo ndeshje kokën lartë.

“Normal një ndeshje kampionale, një ndeshje derbi. Për gjithë opinionin d.m.th. është një ndeshje ku ka pritje të mëdha pasi dihet se për mendimin tim pretendentët kryesor për titullin e kampionit këtë vit do të jemi ne dhe Vardari. Normal ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë përballje, e presim me padurim dhe unë mendoj se me një angazhim maksimal nga ana e gjithë futbollistëve besoj se do ja kalojmë me sukses këtë ndeshje”, deklaroi kapiteni i Shkëndijës, Artim Pollozhani, i cili në vazhdim foli edhe për mungesën e ‘Ballistëve’ dhe për nevojën që përforcimeve të reja tu jepet pak kohë për tu adaptuar. “Mendoj se kemi një grup që funksionon nga dita në ditë më së miri, duka pasur parasysh se në një periudhë mjaft të shkurtër u ofruan mjaft futbollistë të ri. Atyre u duhet kohë të njihen me ambientin dhe me lojën që zhvillohet këtu në Shkëndijë. Unë mendoj se dalëngadalë ata po e gjejnë veten dhe nga ndeshja në ndeshje besoj se do japin maksimumin e tyre. Kemi një hendikep të madh pasi që dihet se ‘Ballistët’ nuk kanë të drejtë të jenë në këtë ndeshje. Ata janë gjithmonë lojtari i 12-të i skuadrës tonë. Por me një përkushtim maksimal unë mendoj se do t’ua kthejmë dhe do të kthehemi nga Shkupi me rezultat pozitiv që do na kënaqte si neve, ashtu ‘Ballistët’, por edhe gjithë qytetin“, përfundoi Pollozhani.

Shkëndija kohëve të fundit ka bilans pozitiv me Vardarin, sezonin e kaluar shënoi dy fitore dhe një barazim, ndërsa pikërisht skuadrën nga Shkupi në xhiron e fundit e tejkaluan në pozitën e katërt në renditje, duke siguruar pjesëmarjen në Liga Evropa. Gjithsesi, kjo i takon të së kaluarës, e tashmja është ndryshe dhe Shkëndija do të tentojë që të sjellë vazhdimësi të ecurisë pozitive në duelet me rivalin e madh. Trajneri Ferençina ka përgatitur taktikën që mendon t’i sjellë rezultat pozitiv në këtë përballje. Deni Krleski dhe Jasir Selmani mbeten jashta listës për shkak të lëndimit, megjithse ky i fundit tani më dy ditë ka nisur me stërvitje. Ndërkohë jashtë mbetet edhe Yordan Miliev, që megjithë rekuperimin, ende nuk duket i gatshëm 100%. Përballja derbi i xhiros së dytë ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës zhvillohet sot në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, me fillim në orën 19:00.

Lajme të ngjashme

Back to top button