Edhe Ruzhdi Lata i BDI-së kërkon zbatim të marrëveshjes së Ohrit

Pavarësisht se qytet i vogël, të thuash se mbrëmjen e shkuar në Dibër është bërë vjedhje, kjo nuk përbën lajm për dibranët. Rasti i fundit në argjendarinë e Erebarave ku u vjodhën 18 kg ar, me pasojë një i vdekur dhe dy të plagosur përëbën kulmin e këtyre vjedhjeve, që me gjasë s’do përfundojnë.

Para disa javësh në familjen Skara nga Dibra pati një vjedhje me mijera euro, ndërsa rastet e plagosjeve gjatë vjedhjeve kanë qenë të shumta, si te familjet Karameti, Qylafku e shumë të tjera nga ky qytet. Sipas qytetarëve dibranë, në kushte anonime shprehen se vjedhjet e shumta vijnë si pretekst i të qenurit vend kufitar dhe refugjatë të ndryshëm keqpërdorin familjet dibrane për “fitim të shpejtë dhe pa djersë”. Kjo e ndihmuar edhe nga mos prezenca dhe funksionimi i dobët policor.

Lata kërkon respektim të marrëveshjes së Ohrit!

Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti që më shumë se një dekadë qeveris në Maqedoni thotë se në Dibër nuk respektohet Marrëveshja e Ohrit.

“Në Dibër një kohë të gjatë nuk respektohet Marrëveshja e Ohrit, prej shtabit të inspektorëve vetëm 2 janë shqiptarë prej 7 të tillë. Dhe ata 5 që nuk janë shqiptarë janë nga qytet tjera dhe jo dibranë. Prej policëve kemi 17 shqiptarë nga 68 të tillë. Një numër të madh përbëjnë edhe rezervistët, ku të tillë ka vetëm në Dibër, dhe pjesa e madhe e tyre janë mbi moshën 50 vjeçare. Andaj këtu kemi dy gabime.” thotë për Portalb, Lata.

Dibra është udhëhequr nga BDI edhe para Latës, kur në krye të saj ishte Argëtim Fida, megjithatë asgjë nuk është bërë për të sjellë eprorë shqiptar në këtë qytet.

I pyetur nga Portalb nga kush do të kërkojë përgjegjësi për këtë mos-zbatim të MO-së , a ka folur me kompetentët e i BDI-së që janë bashkë-partiakë të tij dhe çfarë ka kërkuar nga ministritë përkatëse, ai ka vlerësuar pyetjen si keqpërdorim(?!).

“Unë jam kryetar i Dibrës dhe kjo pyetje është keqpërdorim. Unë nuk mund të hy në ato ujëra. Ku ka halle nuk ka politikë. Do ta kërkojmë zgjidhjen përmes rrugëve institucionale” tha Lata.

Mbi deklaratat e diskriminimit të etnitetit shqiptar në Komunën Dibër, Ministria e Punëve të Brendshme nuk deshi të komentojë, ndërkaq  Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti tha se institucioni në fjalë nuk mban evidencë për përfaqësimin e drejtë në nivel të qyteteve por në nivel republikan. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button