RMV, vjedhjet ndërpresin funksionimin e telekomandës përgjatë hekurudhës së Korridorit 10 dhe vendkalimeve rrugore

Në Maqedoni ndodhin incidente të rrezikshme të vjedhjeve të infrastrukturës hekurudhore, të cilat shkaktojnë ndërprerje në funksionimin e vendkalimeve rrugore mbi hekurudhë, e në raste të caktuara ndërpresin edhe punën e telekomandës, përmes së cilës menaxhohet trafiku përgjatë hekurudhës së korridorit 10 nga Tabanoca në Gjevgjeli, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pas aksidentit të rëndë hekurudhor në Greqi, ku humbën jetën 57 persona nga përplasja e një treni mallrash dhe pasagjerësh në hekurudhën Selanik-Athinë, autoritetet greke konstatuan se sistemi i monitorimit dhe sinjalizimit në distancë në këtë hekurudhë nuk funksiononte, ndërsa në vend që të përdornin telekomandën, shefat në stacionet më të afërta hekurudhore komunikonin me njëri-tjetrin dhe me drejtuesit e trenave përmes një radiostacioni – i cili është një sistem i vjetëruar që nuk është përdorur në vendet evropiane prej vitesh, shkruan Reuters në analizën e saj për këtë temë.

Për gjendjen në vend, Ndërmarrja Publike për infrastrukturën hekurudhore Hekurudhat e RMV-së thotë se dëmi i shkaktuar nga vjedhjet e pjesëve të infrastrukturës hekurudhore në vitin e kaluar ka qenë mbi 19 milionë denarë, ndërsa në muajt e parë të vitit dëmi ishte gati 3,6 milionë denarë.

“Në vitin 2022 tek ne janë regjistruar 47 vjedhje, ndërsa në vitin 2023 deri më tani janë regjistruar 8 vjedhje. Nëse bëhet krahasim me numrin e vjedhjeve në vitin 2021, mund të thuhet se numri i vjedhjeve dhe dëmeve është zvogëluar, por vlera e asaj që është vjedhur dhe dëmtuar është më e lartë”, informojnë për Meta.mk nga Ndërmarrja Publike për insfrastruktura hekurudhore.

Në rastet kur vidhen pjesë të sistemit për sigurimin e vendkalimeve rrugore, kjo ndërmarrje publike detyrohet të mbyllë vendkalimet rrugore në hekurudhë, gjë që mund të shkaktojë aksident trafiku ndërmjet trenit dhe ndonjë automjeti. Gjatë vjedhjeve të tilla, thonë nga Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore, ka pasur raste kur komunikacioni është devijuar, gjë që i ka shkaktuar më shumë para dhe kohë kësaj ndërmarrjeje.

“Vidhen sinjalet dhe siç e dini, trenit i duhen 700 deri në 1000 metra për të ndaluar dhe pa sinjalizuar do të kishte frenim të papritur, i cili i vë në rrezik udhëtarët dhe rrethinën”, thotë Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore e RMV-së.

Veçanërisht të rrezikshme janë vjedhjet e pjesëve të infrastrukturës përgjatë hekurudhës së Korridorit 10 ndërmjet Gjevgjelisë dhe Tabanocit, në të cilin kalon pjesa më e madhe e trafikut hekurudhor në vend.

“Hekurudha përgjatë Korridorit 10 në vend menaxhohet përmes menaxhimit të trafikut në distancë, telekomandimit. Vjedhjet e pjesëve të infrastrukturës shkaktojnë edhe ndërprerje në funksionimin e sistemit të telekomandës. Në një rast të tillë, telekomanda fiket në pjesën e trasesë ku konstatohet vjedhja dhe rregullimi i qarkullimit në atë pjesë bëhet nga personeli i stacionit”, sqaruan nga NP për infrastrukturë hekurudhore.

Pasi shihet se është vjedhur një pjesë e infrastrukturës hekurudhore, vjedhja denoncohet në MPB dhe përfaqësuesit e tyre dalin në terren, bëjnë inspektimin dhe bëjnë kallëzim. Dënimet parashikohen në Kodin Penal në pjesën për vjedhje dhe rrezikim të sigurisë në komunikacion. Vjedhësit gjenden kryesisht, por ka një problem tjetër.

“Gjobat nuk janë edhe aq të mëdha, ndaj nuk dekurajohen të vazhdojnë me vjedhje, pa e ditur se veprimet e tyre rrezikojnë jetën e pjesëmarrësve në trafikun hekurudhor”, thonë nga ndërmarrja publike.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)  për Meta.mk thonë se vitin e kaluar janë regjistruar 28 vepra penale për “vjedhje të rëndë”, ku objekt i veprës penale kanë qenë pjesë të infrastrukturës hekurudhore. Pas masave të marra janë zbardhur tetë vepra, ndërsa dëmi material ka qenë rreth 9.711.000 denarë.

Në dy muajt e parë të vitit 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, janë regjistruar katër vepra penale të vjedhjes së rëndë, ku objekt i veprës penale kanë qenë pjesë të infrastrukturës hekurudhore. Dëmi material ka qenë rreth 119.000 denarë.

Sipas të dhënave të NP-së për infrastrukturë hekurudhore, hekurudha e elektrizuar nga Tabanoci në Gjevgjeli është e pajisur me telekomandë me impiante tërheqëse elektrike. Stacionet hekurudhore përgjatë Korridorit 10 janë të përfshira në sistemin e telekomandimit për rregullimin e trafikut, dhe qendra nga ku drejtohen trenat është e vendosur në stacionin e makinerive Trubarevë në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button