Vetëm 169 bullgarë në Maqedoni janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet bullgare, asnjë në Ohër

Vetëm 169 shtetas bullgarë që jetojnë në Maqedoni janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Bullgari që do të mbahen më 2 prill të këtij viti. Bëhet fjalë për personat që do të votojnë në vendvotimet që do të hapen në Maqedoninë e Veriut ditën e zgjedhjeve në Bullgari, si dhe në vende të tjera të Evropës dhe botës, transmeton Portalb.mk.

Listat e të paraqiturve për votim janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë nga ku nga shtatë vendvotime në po aq qytete të vendit, do të votohet në gjashtë: Shkup, Manastir, Kavadar, Prilep, Strumicë dhe Tetovë. Vendvotim është planifikuar edhe në Ohër, ku është hapur edhe klubi bullgar “Car Boris i Tretë”, por aty nuk është paraqitur asnjë.

Lista nuk është objekt publikimi sepse nuk ka persona që kanë shprehur dëshirën për të votuar”, shkruan për vendvotimin në Ohër.

Në gjashtë qytetet e mbetura, megjithatë, më së shumti votues do të ketë në Kavadar dhe Prilep, e më pak në Manastir, qyteti ku u hap klubi bullgar “Vanço Mihailov”.

Konkretisht sipas qyteteve, numri i votuesve të regjistruar është:

Shkup – 15 votues;
Kavadar – 42 votues;
Manastir – 9 votues;
Prilep – 41 votues;
Strumicë – 22 votues;
Tetovë – 40 votues.

Ky është numri më i vogël i votuesve nga Maqedonia e Veriut krahasuar me dy ciklet paraprake zgjedhore në Bullgari. Në zgjedhjet e korrikut 2021 votuan 413, ndërsa në prill 2021 510. Në të dyja rastet më së shumti vota fitoi partia VMRO-BND e Krasimir Karakaçanovit.

Numri i personave që u deklaruan si bullgarë në regjistrimin e vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut ishte 3.504.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button