Supergrabitja në Bankë, Braçe therret Fullanin në Komision

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, ka kërkuar paraqitjen nesër në një seancë të posaçme, të Guvernatorit të Bankës Qendrore,fullani Ardian Fullani, për të dhënë informacion lidhur me vjedhjen disa milion dollarëshe nga Thesari. Mësohet se deputeti socialist ka nisur sot një shkresë zyrtare, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që parashikojnë varësinë e Bankës nga Parlamenti, si dhe faktin që Inspektori i Përgjithshëm i Bankës Qendrore, i cili ka për detyrë pikërisht kontrollin e brendshëm emërohet nga Parlamenti. Ndërkohë prokuroria e Tiranës e cila po vijon hetimet është në pritje të raportit të grupit të auditit, i cili do të përcaktojë vlerën e saktë të parave që janë vjedhur në repartin X në Linzë. Përgjatë ditës së sotme, prokurorët kanë sekuestruar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, pamje filmike të kamerave të sigurisë së repartit ku ka ndodhur vjedhja, por që ruheshin në institucionin qendror. Përmes këtyre pamjeve hidhet dritë mbi të gjitha lëvizjet e dy punonjësve Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, të dyshuar për vjedhjen e miliona eurove, si dhe të të gjithë punonjësve të tjerë. Prokurorët kanë kërkuar gjithashtu listën me emrat e të gjithë punonjësve të repartit në Linzë, të cilët do vijohen të pyeten në ditët në vijim. Ardian Bitraj ka deklaruar se i ka vjedhur paratë dhe humbur në kumar, ndërkohë që prokurorët dyshojnë se bëhet fjalë për një vjedhje të mirëorganizuar ku janë implikuar dhe zyrtarë të tjerë të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë prokurorët po hetojnë pasurinë e të dyshuarve dhe të të afërmve të tyre. /Mapo

Lajme të ngjashme

Back to top button