Shkëndija e veshi Kirovskin ‘kuqezi’

Shkëndija zyrtarizon Hristijan Kirovskin, i cili firmos kontratë një vjeçare me ‘kuqezinjtë’. Sulmuesi shkupjan vjen për të përforcuar vijën e sulmit dhe ‘bagazhi’ i tij i pasur e imponon atë si emër i fortë në pjesën ofensive të skuadrës. 28 vjeçari vjen nga rradhët e Belshatovit të Polonisë dhe përvoja e madhe ndërkombëtare pritet të jetë në shërbim të madh të Shkëndijës.

“Fillimisht dua që të gjithëve t’ua uroj festën e madhe Ramazan Bajramin. Sa i përket Shkëndijës, për mua është kënaqësi e madhe që vij në një klub si që është Shkëndija, një projekt serioz i Ekologut. Për kënaqësi të madhe, shpresoj të të gjithëve, sot jam këtu në Shkëndijë. Vërtet ndjehem i nderuar dhe mezi se pres që të fillojë sezoni. Herën e fundit kur jam larguar nga Maqedonia isha golashënues më i mirë i Ligës së Parë tre vite më parë. Shpresoj ta përsëris atë, mirëpo më me rëndësi është që skuadra të realizojë qëllimet që janë hartuar dhe besoj që gjithçka të jetë ashtu si duhet”, u shpreh Hristijan Kirovski në prezantimin e tij si futbollist i Shkëndijës.

Kirovski është futbollist i lindur në Shkup dhe Vardari ka qenë ekipi i parë ku ka luajtur si senior. Nga viti 2002 deri në 2005 ka luajtur për OFK Beogradin në Serbi, prej ku një periudhë u huazua në Metalurg Zaporizhija të Ukrainës. Makedonija Gj.P. ishte ekipi i dytë në Maqedoni, ndërsa pasojnë transferime jashtë vendit te Etnikos Ahna në Qipro dhe Luç Energia në Rusi. Pason kthim i ri në Maqedoni, kur luajti për Vardarin dhe Rabotniçkin, para se të kalojë në Vaslui të Rumanisë. Në sezonin 2010/2011 me Skopjen në 29 ndeshje realizoi 20 gola, prej ku u transferua në Apolon Limasol të Qipros. Ironi Nir Ramat HaSharon i Izraelit ishte ekipi i rradhës në karrierën e pasur ndërkombëtare të Kirovskit, i cili në vitin 2013 shënoi 12 gola në 25 ndeshje me Iraklisin në Greqi. CSKA Sofia e Bullgarisë dhe Belshatovi ishin ekipet e fundit për të cilët luajti sulmuesi shkupjan, para se të pranojë ofertën e Shkëndijës për t’u rikthyer në Maqedoni. Hristijan Kirovski është përforcimi i 9-të i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht me ‘kuqezinjtë’ firmosën Armend Alimi, Zajko Zeba, Deni Krleski, Jani Urdinov, Mevlan Murati, Ivan Mitrov, Martin Kavdanski dhe Sedat Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button