MPB: Tani qytetarët do të mund të ndihmojnë në zbulimi e shkelësit të rregullave në trafik

Me ndihmën e qytetarëve Ministria e Brendshme do të zbulojë shkelësit e rregullave në trafik. Bëhet fjalë për një projekt i cili mundëson në faqen e internetit të MPB-së qytetarët vet të denoncojnë vërejtjet apo të japin informata për parregullsi të caktuara në trafik. Për këtë qëllim në faqen e internetit, www.mvr.gov.mk ka një lidhje (link) të veçantë ku mund ti shkruhet porosi policisë.

 “Nevojitet që të tregojnë lokacionin dhe periudhën kohore ku më së shpeshti i vërejnë këto dukuri, pa marr parasysh a bëhet fjalë për vozitje të shpejtë, gara, parkim jo të rregullt apo mos- respektim të sinjalizimit të trafikut”, tha Gordana Jankullovska, ministre e punëve të brendshme.

Vërejtja më pas dërgohet deri tek sektori për trafik ku përgatitet plan për kryerjen e kontrollit. Pas kryerjes së kontrollit, Ministria do t’i njoftojë qytetarët për masat e ndërmarra dhe gjobat e shqiptuara eventuale.

 “Presim që në këtë mënyrë të kemi bashkëpunëtorë edhe në ato rrugë të cilat nuk janë të pajisura me kamera, gjegjësisht të gjithë qytetarët do të bëhen pjesë e policisë rrugore”, deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e punëve të brendshme.

Nga MPB informuan se në Shkup numri i shkeljeve në raport me gjysmë-vjetorin e parë të vitit të kaluar është ulur për 20%. Por, rritje ka tek shkeljet e rregullave nëpër autostrada edhe atë mbi 19%.

Lajme të ngjashme

Back to top button