Festa e Fitër Bajramit, qindra besimtarë në bulevard (Video)

Sot, pas 30 ditëve agjërim, lutje, adhurime, besimtarët muslimanë shqiptarë dhe ata në mbarë botën, festojnë Fitër Bajramin.

Qindra besimtarë myslimanë ishin të pranishëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në mëngjes herët për Faljen e Namazit.

“Bajrami është dita e besimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Skënder Bruçaj, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar.

Ndërkohë, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, deklaroi se falja e namazit të Fitër Bajramit, edhe këtë vit, do të bëhet aty ku është falur gjithmonë, gjatë këtyre viteve të fundit.

“Duke filluar nga Ura e Lanës, deri në lulishten e sheshit ‘Skënderbej’. Gjithashtu, vend faljeje për zonjat besimtare do të jetë segmenti fundor i rrugës ‘Myslym Shyri’. Duhet theksuar se vendi i faljes së Bajramit do të jetë vetëm në bulevard, duke lënë të lira trotuaret dhe hapësirat e gjelbërta”, theksoi Ylli Gurra, Myfti i Tiranës.


Festa e Fitër Bajramit – Top Channel Albania… by tchalbania

Presidenti Nishani uron besimtarët

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me anë të një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët Mysliman për festën e Fitër Bajramit.

“Nuk ka gjë më të aftë se kjo festë për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet. Është kjo Festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur, të moshuarit më të rinj, të sëmurët më të shëndetshëm, të shëndetshmit më të mëshirshëm, fatkeqët më pak të dëshpëruar, fatlumturit më të përmbajtur, fukarenjtë me më tepër shpresë, zengjinët më zemërgjerë”, shkruan Presidenti në mesazhin e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button