Urimet e kreut politik në Maqedoni për festën e Bajramit

Liderët politik në Maqedoni kanë uruar të gjithë myslimanët për festën e Fitër Bajramit. Më poshtë u sjellim uratat e tyre.

Presidenti Gjorge Ivanov: Ditë të këndshme festive të mbushur me paqe dhe mirëqenie

Presidenti Gjorge Ivanov me rastin e festës së madhe myslimane Fitër Bajrami, dërgoi urime deri te kryetari i Bashkësisë fetare islame në Republikës e Maqedonisë, Reis ul Ulema Haxhi Sulejman efendi Rexhepi dhe deri te të gjithë besimtarët e fesë islame në vend.

“Të gjithë besimtarëve të fesë islame u dëshirojmë që këto ditë të festave t’i kalojnë të mbushur me mirësi, mirëqenie, mirëkuptim dhe dashuri, vlera të cilat i bashkojnë dhe i lidhin njerëzit dhe fetë”, thuhet në urimin e Ivanovit.

Duke e uruar festën e madhe Fitër Bajrami, Ivanovi iu dëshiroi ditë të këndshme festive të mbushur me paqe dhe mirëqenie.

Kryeministri Nikola Gruevski: Festa të tilla shërbejnë për afrimin edhe më shumë të qytetarëve të Maqedonisë 

“Kam nderin, Juve personalisht, anëtarëve të Rijasestit dhe të gjithë besimtarëve mysliman në Republikën e Maqedonisë, në emrin tim personal dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë tua uroj festën e madhe myslimane Fitër-Bajramin. Festimet e Bajramit, dhe në përgjithësi festat fetare dhe tradita kombëtare lidhur me to, gjithmonë kanë qenë mundësi për respektimin dhe afrimin e njerëzve nga religjionet e ndryshme në Maqedoni”, tha Gruevski.

Ali Ahmeti:Muaji i Ramazanit dhe Fitër Bajramit na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore

“Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) si dhe në emrin tim personal, të uroj të gjithë besimtarët mysliman për festën e madhe të Fitër Bajramit duke ju dëshiruar shëndet dhe mbarësi në gjirin e tyre familjar. Muaji i Ramazanit dhe Fitër Bajramit na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë fuqishëm gjatë muajit të agjërimit dhe festës së Bajramit. Uroj që kjo festë t’ju gjejë në gëzime familjare dhe të na bashkojë në paqe dhe në shtrimin e dorës së mirëkuptimit, solidaritetit dhe bamirësisë”, shkruan në urimin e tij i pari i BDI-së Ali Ahmeti.

Menduh Thaçi: Uroj që festa e Fitër Bajramit të përcillet me dashuri dhe respekt

“Sakrifica dhe devotshmëria që karakterizojnë këtë Festë, na bëjnë të fortë për të mos devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi, duke vazhduar me angazhimet e mëtejshme si dhe me kultivimin e vlerave tona fetare dhe kombëtare.

Uroj që kjo festë të përcillet me dashuri, respekt, solidaritet dhe vullnet të mirë! Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) uauroj gjithë besimtarëve mysliman Festën e Fitër Bajramit me shumë shëndet dhe mbarësi. Qofshi të gëzuar gjithmonë!”, shkruan Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button