Maqedonia dhe bota islame festojnë Fitër Bajramin!

Myslimanët në Republikën e Maqedonisë si dhe e tërë bota islame, sot e feston Fitër Bajramin.

Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Si çdo ditë ashtu edhe ditën e Bajramit një mysliman është i obliguar të falë namazin e Bajramit. Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 6:10 minuta.

Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman  e ka për detyrim të japë sadakatul-fitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema H.Sulejman ef. Rexhepi me rastin e festës së  Fitër Bajramit 2014 i dërgoi mesazh myslimanëve në Republikën e Maqedonisë.

“Gëzohuni vëllezër e motra, qëndroni krenar të gjithë. Allahu Fuqiplotë na i ndjeu lutjet, ibadetet tona, ndaj dhe për tridhjetë ditë rresht na i mbajti të hapura dyert e Xhenetit. Në Xhenet hyjnë vetëm të devotshmit, ata që janë të pastër në shpirt, vetëm ata të cilëve Allahu i Madhërishëm u dhuroi mëshirë. Dhe ne sot lutemi me përulësi: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. (Ali Imran 8) Vëllezër e motra, të dashur besimtarë!” tha mes tjerash në urimin e tij, Rexhepi.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet!

Lajme të ngjashme

Back to top button