Një grua me mbulesë synon postin e kryetarit të Gjilanit

Partia e Drejtësisë ka nominuar edhe pesë kandidatë të tjerë për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale që do të mbahen më tre nëntor të këtij viti. Në mesin e të nominuarve është edhe një femër me mbulesë, Labinota Murtezi, e cila do të sfidojë garuesit në Gjilan. Drejtues të kësaj partie kanë bërë të ditur se për zgjedhjet lokale me kandidatë për kryetar do të kandidojnë në dhjetë komuna, ndërsa në 26 tjera me asambleistë komunal.

Kandidatja e nominuar për kryetare të qytetit të Gjilanit, Labinota Murtezi, ka falënderuar drejtuesit e PD-së, për besimin e dhënë, ndërsa, ka shtuar se do të angazhohet që t’i ofrojë qytetit dhe qytetarëve të Gjilanit atë që është më e mira. Gjithmonë, sipas saj, duke u thirrur në parimet bazë dhe virtytet e larta që ofron programi i PD-së.

“Ky program që e karakterizon partinë tonë, neve na shtynë dhe na motivon. Ne na ka bërë krenar atëherë kur jemi drejtuar zyrave të partisë në qytetet tona për t’u anëtarësuar në këtë parti dhe me atë privilegj, përgjegjësi dhe kënaqësi dhe atë vullnet marrim kandidaturën për kryetarë të komunës secili në qytetet përkatëse. Mendoj se gjithnjë duke u thirrur me parimet bazë në programin e posaçëm të PD-së do të arrijmë t’i ofrojmë qyteteve tona atë çka është më e mira. Zgjedhjet më të mira, atraktive për të arritur dëshirat e qytetarëve pa dyshim në emër të Zotit me drejtësi”, ka pohuar ajo.

Kryetari i PD-së dhe njëherit Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se kandidatja për kryetare të Komunës së Gjilanit, e cila bartë edhe mbulesë, është shembulli më i mirë që Kosova është një shtet me potenciale të mëdha demokratike. Ai ka pohuar edhe njëherë se është e drejt kushtetuese që çdo person në Kosovë, të manifestojë bindjet e tij fetare.
Përveç Gjilanit, PD ka prezantuar edhe kandidatët tjerë, Vesel Nezirin, për qytetin e Mitrovicës, Xhelal Krasniqin për Komunën e Obiliqit, Rifat Kryeziun për Malishevën dhe Ardian Sejdiu për Komunën e Ferizajt.

Lajme të ngjashme

Back to top button