Gjerman i varfër, maqedonas i pasur!

Sipas rezultatit për rritje ekonomike prej 2,9% në kuartalin e parë të këtij viti, ekonomia e Maqedonisë i tejkaloi ekonomitë e fuqishme evropiane si Gjermania dhe Franca. Dhe kjo është kështu, nëse krahasohen treguesit për rritje të PBB-së. Ministri i financave Zoran Stavrevski deklaroi se vetëm Lituania, Letonia dhe Turqia kanë qenë më të mira sa Maqedonia. Përveç rritjes së PBB-së, si sukses i madh për Maqedoninë u përmend edhe zvogëlimi i papunësisë në 29,9%.

Edhe me PBB pozitive, Maqedonia më e varfra në BE

Çdo qytetar i Maqedonisë, në vit krijon, gjegjësisht disponon me 3.630 euro ose në nivel të vendit, Prodhimi i brendshëm bruto ishte rreth 7,5 miliardë euro.

Në nivel të Bashkimit Evropian, mesatarisht, çdo evropian disponon me 24.500 euro që është pothuajse shtatë herë më shumë se sa PBB-ja e Maqedonisë për krye banori.

Llogaritjet e ekonomistëve vendorë tregojnë se me përqindje të rritje ekonomike prej 2% në vit, Maqedonisë do t’i duhen 35 vjet që ta dyfishojë rritjen ekonomike, gjegjësisht që ai të jetë diçka më tepër se sa 7.000 euro.

Me pozitën e tanishme, PBB-ja e Maqedonisë është 35% e mesatares evropiane, që tregon se vendi edhe më tutje është në grupin e vendeve më të varfëra evropiane.

Është e saktë se ekonomitë e fuqishme shënuan përqindje më të ulëta të rritjes ekonomike për kuartalin e parë të këtij viti – po edhe më tutje standardi jetësor i qytetarëve në disa prej tyre mbetet të nivel më të lartë se sa mesatarja evropiane.

Kështu për shembull, gjermani në vjet krijon 30.500 euro, ndërsa francezi 29.900 euro – dhe në të dyja këto raste ekonomitë e tyre shënuan rritje më të ulët ekonomike se sa ajo e Maqedonisë, por megjithatë standardi jetësor mbetet mbi mesataren evropiane.

Ja me sa para në vit jetojnë qytetarët e disa ekonomive evropiane (të dhënat e fundit për PBB-në për krye banori, për vitin 2010):

Maqedonia 3.630 euro
Austria 34.100 euro 
Gjermania 30.500 euro
Franca 29.900 euro  
Portugalia 16.200 euro
Sllovenia 17.400 euro

Sipas të dhënave, prapa Maqedonisë, sipas lartësisë së PBB-së në krahasim me mesataren evropiane janë Bosnja dhe Hercegovina me PBB prej 30% dhe Shqipëria me parametrat e njëjtë (të cilat do t’i nënshtrohen revizionit për të përqindjes së rritjes ekonomike të Shqipërisë).

Ekspertët thonë se në mënyrë komparative duhe të analizohen edhe të dhënat për nivelin  e ngarkesës me borxh të vendit. Sipas qeverisë, Maqedonia akoma ka nivel të matur të ngarkesës me borxhe, ndërsa sipas ekspertëve pyetje kyçe është se si do të servisohen borxhet.

“Unë borxhin e vendit e krahasoj me borxhin e një familjeje. Nëse keni një familje që ka të hyra prej 10.000 denarësh ndërsa borxhi i saj është 30%, atëherë ajo familje duhet të kthejë 3.000 denarë dhe të jetojë me 7.000 denarë. Por, nëse një familje tjetër ka 100.000 denarë të ardhura dhe poashtu është e ngarkuar me borxh prej 30% të të ardhurave, atëherë duhet të kthejë 30.000 denarë, por megjithatë për jetesë i mbeten 70.000 denarë, që mjaftojnë për një jetë kualitative. Ky është krahasimi i ngarkesës mo borxhe të një vendi me të ardhura të ulëta dhe një vendi me të ardhura të larta. Edhe analizat e huaja, tregojnë se për një vend me të ardhura të ulëta, borxhi publik nuk duhet të jetë mi i lartë se 35%, sepse pjesa që mbetet për t’u harxhuar është shumë e vogël dhe në atë rast vendi do të jetojë shumë më varfër se sa vendi që ngarkesë më të madhe me borxhe, por edhe të ardhura më të mëdha” – sqaron profesori universitar Predrag Tërpeski.

Edhe përkundër asaj se borxhi arriti në 34,2% të PBB-së, në një gjendje kur ekonomia por e merr veten shumë ngadalë, qeveria mbetet në qëndrimin se Maqedonia është vend me nivel më të ulët të ngarkesës me borxhe.

Papunësia: Ku është Maqedonia në krahasim me Evropën

Përqindja e papunësisë prej 29,9% në kuartalin e parë ekonomik u shpall si më e ulët në nivel historik. Qeveria thotë se papunësia në Maqedoni zvogëlohet, ndërsa në Evropë ajo rritet. As këta tregues nuk duhet të analizohen në mënyrë të izoluar – porosisin ekspertët.

Me përqindje të papunësisë prej 29,9% vendi mbetet në grupin e vendeve me numër më të madh të të papunësuarve.

Në muajin maj, në nivel të Bashkimit Evropian, papunësia është 11% (në maj të vitit 2012 përqindja ka qenë 10,4%).  

Gjermania 5,3%
Franca 10,9%
Sllovenia 11,1%
Bullgaria 12,7%
Kroacia 16,5%
Greqia 26,8%

Në SHBA, përqindja e papunësisë është 7,6% dhe në krahasim me muajin maj të vitit të kaluar kur ajo ka qenë 8,2%, tani shënohet rënie.

Edhe pse në Maqedoni u regjistrua rënie e papunësisë, ekspertët vendorë dyshojnë se numrat e paraqesin realitetin. Një pjesë e ekonomistëve i bënë thirrje qeverisë që të përgjigjet se rritja e përqindjes së punësimit a është rezultat i punësimeve në sektorin shtetëror ose atë privat.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button