O’Relly: S’ka akuza për trafikim organesh, por raporti do t’i sjell dëme Kosovës

Njëri nga avokatët më të mirë në botë për krime të luftës, Michaell O’Reilly ka thënë se raporti i prokurorit Clint Williamson bazuar në pretendimet e ngritura nga Dick Marty, nuk pritet të vërtetojë akuzat për trafikim organesh në Kosovë.

O’Reilly ka thënë për Radio Dukagjinin se përderisa ekipi i Williamson nuk gjeti prova për trafikim organesh, ndryshoi aktakuzën duke u kthyer në krime të luftës.

Por ai ka tërhequr vërejtjen se çdo dokument i natyrës së tillë do t’i sjell dëme Kosovës në imazhin ndërkombëtarë. “Nuk jam i befasuar se nuk ka pasur trafikim të organeve sepse shumë herë është thënë se ka trafikim dhe kjo ka qenë absurde, sepse nuk është bazuar në asgjë. Por ajo çka është e pritshme se do të ketë akuza për veprimet individuale të njerëzve gjatë luftës”, ka theksuar avokati O’Reilly.

Avokati i cili ka udhëhequr ekipin mbrojtës të Ramush Hardinajt në Hagë, vlerësoi se megjithatë çka do që thotë raporti ai do t’i sjell dëme Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë. “Është e vështirë të dijë saktësisht se çka është shkruar në raport, pasi ende nuk e kemi parë përmbajtjen e tij. E kuptoi që ky dokument do të konkludojë se nuk ka pasur trafikim të organeve, por çdo raport i natyrës së tillë do t’i sjell dëme të mëdha Kosovës. Duhet të presim se çka do të ndodh, por këto zhvillime nuk janë të mirëseardhura”, ka pohuar O’Reilly. Ai ka kritikuar ashpër qasjen e faktorit ndërkombëtarë që për gjykimet individuale të njerëzve të themelojë gjykatë speciale. “Dua të them që veprimet individuale ndaj njerëzve, në këtë rast krimet ndaj serbëve, është dashur të gjykohen, në Kosovë në këtë rast nga EULEX-i, dhe jo kjo çështje të marr përmasa ndërkombëtare, pra që të kemi një gjykim ndërkombëtarë. Kjo më shumë është bërë politikisht, e që ka nisura nga akuzat e pabaza se gjoja ka pasur trafikim organeve në Kosovë”, ka potencuar O’Reilly.

Lajme të ngjashme

Back to top button